Mümin Altaş
15 Tetor 2017•Përditësim: 16 Tetor 2017
STRASBURG (AA) – Zëvendëskryeministri dhe zëdhënës i Qeverisë së Republikës së Turqisë, Bekir Bozdag, deklaroi se Ankaraja zyrtare nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
“Turqia është e vendosur të vazhdojë procesin e integrimit në BE, pavarësisht nga të gjitha trendet negative”, porositi Bozdag, në fjalimin gjatë vendosjes së gurthemelit për rindërtimin e xhamisë Sulltan Ejubi në Strasburg, e cila është një nga xhamitë më të mëdha në Evropë.
Organizata e komunitetit muslimanë “Milli Gorus” (IGMG) do të ndërtojë xhaminë Sulltan Ejubi në Strasburg, e cila në këtë mënyrë do të fitojë hapësirë për aktivitete arsimore dhe të tjera.
Duke theksuar se kjo do të jetë një nga simbolet e Strasburgut, Bozdag tha se kompleksi i xhamisë do të jetë në dobi të të gjithë njerëzve në këtë qytet francez, e jo vetëm për komunitetin lokal musliman.
Ai në fjalimin para të pranishmëve tha se Turqia është vendi i cili nga viti 1960 me vendosmëri lufton të bëhet anëtare e barabartë e Bashkimit Evropian, duke shtuar se Turqia është e bindur për dobinë e ndërsjellë të këtij procesi dhe nuk do të heq dorë nga ky qëllim pa marrë parasysh se ana tjetër vazhdimisht ndryshon disponimin dhe rregullat e lojës.
Edhe këtë rast Bozdag akuzoi Bashkimin Evropian se ndaj Turqisë zhvillon politikë dyfytyrëshe. Ai porositi se bota doemos duhet bashkarisht të luftojë kundër burimit të urrejtjes dhe hakmarrjes.
“Njerëzit që mbjellin racizëm, urrejtje kundër Islamit janë njerëz të sëmurë. Kjo është sikur epidemia që kërcënon vlerat evropiane dhe për këtë shkak duhet të gjithë së bashku të luftojmë”, theksoi Bozdag.