Fatjon Prronı
27 Qershor 2016•Përditësim: 27 Qershor 2016
ANTALIA (AA) - Turqia do të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin nëse Tel Avivi zyrtar u jep kompensim familjeve të viktimave turke të vrarë në sulmin ndaj anijes në vitin 2010, dhe nëse heq embargon ndaj Rripit të Gazës, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, raporton Anadolu Agency (AA).
Në iftarin e organizuar nga Shoqata Demokratike e Gruas në Antalia, kryediplomati turk theksoi se Turqia dhe Izraeli do të vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale.
Marrëdhëniet diplomatike mes Turqisë dhe Izraelit u pezulluan pas sulmit izraelit ndaj anijes humanitare Mavi Marmara në afërsi të Rripit të Gazës.
Një grup anijesh më 31 maj 2010 u përpoqën që të arrijnë në Rripin e Gazës, por u sulmuan nga njësitet e ushtrisë izraelite në ujërat ndërkombëtare duke ua ndaluar rrugëtimin. Në këtë ngjarje u vranë nëntë persona dhe njëzet të tjerë u plagosën.
Cavusoglu theksoi se Ankaraja nuk do të bëjë "kurrfarë lëshimi" ndaj Tel Avivit. "Një nga kushtet është kompensimi ndaj familjes së dy vëllezërve që humbën jetën (në Mavi Marmara). Kushti i dytë është heqja e embargos ndaj vëllezërve tanë palestinezë të cilët janë përndjekur me vite, jetojnë nën embargo dhe kanë infrastrukturë të shkatërruar si pasojë e sulmeve. Do të normalizojmë marrëdhëniet, kur të plotësohen këto kushte", tha Cavusoglu.
Ai ka shtuar se normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin nuk do të thotë se "Turqia do të heshtë, ndërsa vëllezërve palestinezë u bëhet padrejtësi". Sipas tij, Turqia do të vazhdojë të japë ndihma humanitarë për palestinezët.
Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım sot në Ankara do të mbajë një konferencë për shtyp ku do të flas për rezultatet e negociatave me Izraelin.