Ramazan Ercan
27 Qershor 2016•Përditësim: 28 Qershor 2016
IZMIR (AA) – Deti Egje, i cili ishte dëshmitar i njërës nga dramat më të mëdha njerëzore në botë dhe i cili u bë varri i qindra migrantëve, po i përjeton ditët më të qeta të viteve të fundit.
Pas përfundimit të udhëtimit të shpresës me arritjen e Marrëveshjes për Riatdhesim, në 100 ditët e fundit në Detin Egje nuk është përjetuar asnjë rast vdekjeje.
Sipas të dhënave që i ka siguruar gazetari i Anadolu Agency (AA), gjersa deri në muajin mars të vitit 2016 kishte vazhduar në mënyrë intensive udhëtimi drejt shpresës i atyre që shpresonin jetë më të mirë në Evropë si refugjatë, persona këta që braktisën vendet e tyre nga shkaku i luftërave të brendshme dhe pasigurisë politike dhe ekonomike, që nga ajo kohë ky udhëtim thuajse ka ardhur drejt përfundimit.
Me hyrjen në praktikë më 20 mars të marrëveshjes mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE) që kishte për qëllim parandalimin e migrimit të parregullt, luftën kundër trafikimit me njerëz dhe mënjanimin e rasteve të vdekjes, marrëveshje kjo e nënshkruar më 18 mars në Bruksel, udhëtimi drejt shpresës arriti në një fazë të ndryshme.