Aynur Ekiz
27 Prill 2016•Përditësim: 27 Prill 2016
ANKARA (AA) – Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu ka deklaruar sot se Kushtetuta e re e Republikës së Turqisë do të ketë për bazë liberalizmin dhe jo të kuptuarit autoritativ të sekularizmit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai ka folur sot në takimin e rregullt të depuetëve të Partisë për Drejtësi (AK Parti) në Ankara, ku është ndalur në zhvillimet aktuale.
Lidhur me ndryshimet kushtetuese në Turqi, Davutoglu tha se janë duke punuar në këtë drejtim në përputhje me premtimet elektorale të cilat ua kanë bërë qytetarëve të Republikës së Turqisë.
Davutoglu është ndalur edhe në pohimet se “Turqia po braktis sekularizmin dhe po vendos Sheriatin” për çka tha se Turqia do ti lë vend të kuptuarit liberal dhe jo autoritativ të sekularizmit, për të shtuar se partia në pushtet (AK Parti) nuk është në kërkim të zgjidhjeve tjera dhe se gjithçka tjetër lidhur me këtë çështje është spekulim.