Barry Eitel
07 Tetor 2015•Përditësim: 07 Tetor 2015
SAN FRANCISCO (AA) – Disa kompani teknologjike prestigjioze si Apple dhe Google u bashkuan në fushata zhvillimore për të siguruar ndihmë për sirianët e larguar nga lufta civile në Siri, duke iu përgjigjur thirrjes së presidentit të SHBA-së, Barack Obama, për të ndihmuar refugjatët, raporton Anadolu Agency (AA).
"Instacart" që ofron shërbime të produkteve ushqimore, fushata për bashkë-financim Kickstarter dhe aplikacioni Airbnb, njoftuan fushata të ndryshme për të ndihmuar rreth krizës së refugjatëve në Lindjen e Mesme dhe Evropë, të cilët ikin nga destabilizimi dhe dhuna e luftës shumë vjeçare civile në Siri.
SHBA tashmë ka kontribuar 4,5 miliardë dollarë në ndihmë të krizës, por të martën presidenti Obama bëri thirrje kompanive, organizatave jo-qeveritare dhe amerikanëve për të ndihmuar refugjatët aq sa mundin.
“Kjo nuk ka të bëj vetëm me atë që unë mund të bëj si president. Çdo njëri prej nesh, duke filluar prej qytetarëve deri te organizatat jo-qeveritare mund të ndihmojmë refugjatët të gjejnë një strehë të sigurt", ka deklaruar presidenti Obama.
Kickstarter njoftoi se është duke bashkëpunuar me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) për fushatën e saj të parë jo-kreative mbi mbledhjen e fondeve. Shërbimi për bashkë-financim normalisht nuk lejon fushata jofitimprurëse, por drejtuesit e saj vendosën të marrin parasysh thirrjen e presidentit Obama dhe bën një përjashtim të veçantë.
Instacart është duke kërkuar nga përdoruesit që të dhurojnë të holla gjatë kryerjes së check-out’it dhe paratë e mbledhura do të përdoren për blerjen e ushqimit për refugjatët.
“Përdoruesit e kompanisë Instacart tani do të kenë mundësi për të dhuruar artikuj ushqimor për refugjatët sirianë nëpërmjet Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe shpresojmë që edhe shumë kompani tjera do të bashkohen në këtë përpjekje”, shpjegoi themeluesi i Instacart’it Apoorva Mehta në një deklaratë.
Twitter gjithashtu njoftoi se do të debutojë produktin e saj të donacionit para afatit, e cila do të lejoj përdoruesit për të dhënë të holla thjesht duke klikuar një buton.
Ndërsa Airbnb njoftoi se do të organizojë strehim falas për punonjësit e ndihmave në rajonet më të prekura nga kriza.
Në javët e fundit, Apple dhe Google njoftuan fushatat për mbledhjen e fondeve për refugjatët. Poashtu facebook muajin e kaluar njoftoi një plan për të sjellë qasje falas në internet për kampet e refugjatëve.