Sefa Mutlu,Çiğdem Münibe Alyanak
16 Dhjetor 2021•Përditësim: 16 Dhjetor 2021
Samiti i 3-të i Përbashkët Turqi-Afrikë filloi në Stamboll me takimin e nëpunësve civilë të nivelit të lartë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ditën e parë, samiti që mbahet në Qendrën e Kongreseve İstanbul me temë "Partneriteti i forcuar për zhvillim dhe prosperitet së bashku", zhvillohet me dyer të mbyllura për median me takimin e nëpunësve civilë të nivelit të lartë nën mikpritjen e zv.ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Sedat Önal.
Pas samitit të parë që u mbajt në Stamboll dhe samitit të dytë në kryeqytetin e Guinesë Ekuatoriale, Malabo, samiti i tretë Turqi-Afrikë po zhvillohet në Stamboll dhe do të vazhdojë deri më 18 dhjetor.
Në kuadrin e samitit nesër do të mbahen sesione të njëkohshme nën kryesimin e ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ministrit turk të Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ministrit të Arsimit Mahmut Özer, ministrit të Bujqësisë dhe Pyjeve, Bekir Pakdemirli si dhe me pjesëmarrjen e homologëve të tyre nga vendet e Afrikës.
Hapja zyrtare e samitit do të mbahet të shtunën më 18 dhjetor me pjesëmarrjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe liderëve të vendeve të Afrikës.
Pritet që në të njëjtën ditë Erdoğan të takohet në një drekë pune me krerët e shteteve dhe qeverive.
Në anën tjetër, në kuadrin e samitit do të zhvillohen bisedime dypalëshe në nivel të krerëve dhe shteteve dhe qeverive si dhe ndërmjet ministrave.
- Do të realizohen projekte konkrete në dobi të Afrikës
Në Planin e Veprimit në samitit janë përfshirë projekte konkrete që do të realizohen në dobi të Afrikës në periudhën 2022-2026.
Në kuadrin e Plan Veprimit në fjalë, parashikohet që në 5 vite të zbatohen projektet e bashkëpunimit në fusha të ndryshme për paqen, sigurinë dhe qeverisjen, tregtinë, investimet dhe industrinë, arsimin, shkencën, teknologjinë dhe aftësitë e inovacionit, zhvillimin e rinisë dhe grave, zhvillimin e infrastrukturës, bujqësisë dhe sistemeve të shëndetësisë.
Me një deklaratë që do të pranohet në samit, synohet që deri në periudhën e samitit të ardhshëm t‘i jepet një drejtim strategjik marrëdhënieve mes Turqisë dhe kontinentit të Afrikës të cilat zhvillohen në çdo fushë.
Takimi i ardhshëm i Samitit të 3-të të Përbashkët Turqi-Afrikë planifikohet të zhvillohet në një vend të Afrikës.