Burak Bir
16 Dhjetor 2021•Përditësim: 16 Dhjetor 2021
Forcat turke të sigurisë "neutralizuan" 3 terroristë të PKK-së në zonat veriore të Irakut dhe Sirisë, pranë kufirit të Turqisë, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një postim në Twitter, ministria tha se një terrorist u neutralizua nga dronët turq në rajonin Haftanin në veri të Irakut në një operacion të përbashkët nga forcat turke dhe Agjencia Kombëtare e Inteligjencës (MIT).
Në një operacion tjetër, 2 terroristë u vunë në shënjestër të komandove turke në veri të Sirisë teksa tentonin të depërtonin në zonën e operacionit "Burimi i Paqes", shton deklarata, duke ndarë pamjet e operacioneve.
Organizata terroriste PKK shpesh përdor bazat në veri të Irakut, pikërisht përtej kufirit jugor të Turqisë, për të komplotuar sulme terroriste në Turqi.
Ndërkohë, dega siriane e grupit terrorist, YPG, është përpjekur të krijojë një korridor terrorist në veri të Sirisë, duke synuar ushtarët turq dhe zonat kufitare.
Autoritetet turke përdorin termin "neutralizim" për të nënkuptuar se terroristët janë dorëzuar, vrarë ose janë kapur.
Që nga viti 2016, Ankaraja ka nisur tre operacione të suksesshme anti-terroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve: "Mburoja e Eufratit" (2016), "Dega e Ullirit" (2018) dhe "Burimi i Paqes" (2019).
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.