İlker Girit
17 Tetor 2017•Përditësim: 17 Tetor 2017
STAMBOLL (AA) – Plani i Bashkimit Evropian (BE) për refugjatët në Turqi ka përfshirë një milion njerëz të rrezikuar, thuhet në një njoftim të BE-së të martën, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të publikuar, komisari i BE-së për Ndihma Humanitare dhe Menaxhim me Kriza, Christos Stylianides, nënvizon se dita e sotme është një moment historik nga shkaku i rezultateve të programit më të madh të BE-së që synon përmirësimin e jetëve të njerëzve, njëkohësisht paraqet edhe përmbushje të zotimit të BE-së ndaj Turqisë.
"Kemi bërë një të arritur të madhe duke përfshirë tashmë një milion njerëz. Ndihma për refugjatët të cilët kanë ikur nga lufta dhe persekutimet është një detyrim i yni moral dhe humanitar”, thotë Stylianides.
Programi prej 348 milionë euro, siguron të ardhura mujore të cilat u transferohen refugjatëve në Turqi përmes kartave të posaçme debitore, të cilat mund të përdoren për blerjen e produkteve në shitoret lokale.
Nga shtatori i vitit të kaluar, refugjatët e regjistruar kanë filluar të marrin çdo muaj nga 30 euro për person, si pjesë e programit të cilin e zbatojnë Gjysëmhëna e Kuqe e Turqisë dhe Programi Botëror për Ushqim.
Turqia ka strehuar numrin më të madh të refugjatëve sirianë se çdo vend tjetër në botë. Që nga fillimi i luftës civile siriane, vendi ka shpenzuar rreth 25 miliardë dollarë ndihmë dhe strehim të refugjatëve.
Siria që nga fillimi i vitit 2011 u përfshi në një luftë të egër civile, kur regjimi i Bashar al-Assad shtypi protestat pro-demokracisë. Sipas OKB-së që atëherë, më shumë se 250 mijë njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë janë zhvendosur.