Semra Orkan,Mehmet Ali Derdiyok
17 Shtator 2017•Përditësim: 17 Shtator 2017
STAMBOLL (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka kryer një bisedë telefonike me ish-sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe kryetarin e Komisionit të Solidaritetit Rakhine, Kofi Annan, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burimet e Presidencës së Turqisë, mësohet se në bisedën ku është folur rreth çështjes për gjetjen e një zgjidhjeje ndaj dramës njerëzore me të cilën po përballen qytetarët e Arakanit në Mianmar, theksohet se janë shkëmbyer pikëpamjet në lidhje me raportin që Annan ka përgatitur për çështjen.
Në bisedë është vënë theksin për ndalimin e dhunës në Mianmar, dërgimin e ndihmave humanitare dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë në mënyrë të shpejtë iniciativat në këtë drejtim.
Ndër të tjera theksohet se Presidenti Erdoğan i ka kërkuar kryetarit të Komisionit të Solidaritetit Rakhine, Kofi Annan, që të këshillojë qeverinë e Mianmarit për t'i dhënë fund dramës njerëzore në rajon, dhe gjithashtu ka vënë në dukje se çështjen do ta ngrejë edhe në rendin e ditës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Për të gjetur zgjidhje ndaj problemit Erdoğan ka bërë të ditur se Turqia është e gatshme të punojë së bashku me qeverinë e Mianmarit dhe të Bangladeshit.