Admir Fazlagikj,Cuneyt Davut
18 Janar 2016•Përditësim: 19 Janar 2016
SHKUP (AA) – Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) me 489 projekte që nga viti 2006, ku ajo u hap zyrtarisht në Maqedoni ka ndihmuar këtë vend në fusha të ndryshme si arsimi, shëndetësia, infrastruktura sociale, zhvillimi i kapaciteteve si dhe restaurimin e objekteve të kulturës dhe trashëgimisë së përbashkët të dy shteteve.
Në një intervistë me Anadolu Agency (AA), koordinatori i TIKA-s në Maqedoni, Teoman Tiryaki tregon se krahas ndihmës ndaj institucioneve shtetërore për rritjen e kapaciteteve si dhe modernizimin e funksionimit, kjo Agjenci ka realizuar 248 projekte të ndryshme në mbështetje të organizatave jofitimprurëse për zgjerimin e burimeve, infrastrukturës së tyre si dhe organizimin e programeve të ndryshme si; simpoziume dhe projekte të përbashkëta kulturore.
“TIKA në kuadër të projekteve të saj në këtë vend i ka dhënë një rendësi të veçantë arsimit dhe shëndetësisë duke realizuar 33 projekte në këto dy fusha, projekte këto që kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e standardeve të jetesës dhe arsimimit për qindra mijëra qytetarë të Republikës së Maqedonisë. Ndërkohë në mbi 27 projekte të ndryshme ky institucion i ka ardhur në ndihmë institucioneve shtetërore për rritjen e kapaciteteve si dhe ndihmesën në rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve të dy vendeve”- shprehet Tiryaki.
Sipas tij, një rëndësi të veçantë kjo Agjenci i ka kushtuar edhe restaurimit të objekteve kulturore të cilat mbartin vlera të përbashkëta historike dhe të trashëgimisë së dy vendeve. Këtu vlen të përmenden restaurimi i 5 xhamive historike që i përkasin periudhës së Perandorisë Osmane.-
Me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë dhe transmetimin e kësaj trashëgimie kulturore brezit të ardhshëm kanë përfunduar punimet e restaurimit të xhamisë Ishakiye e cila është një prej veprave më të shquara të qytetit të Manastirit dhe janë duke vazhduar punimet për rehabilitimin dhe rregullimin e mjedisit.
Gjithashtu kanë përfunduar me sukses punimet e restaurimit për xhamitë Mahmut Aga në Shtip, të xhamisë Mustafa Kebir Çelebi në Strugë e cila u shemb në vitin 2011 si dhe hamami i periudhës Osmane në Tetovë.
Ndërsa për xhamitë Sulltan Murat, Alaxha dhe Saraj Husejin Shah në Shkup kanë përfunduar rregullimet e nevojshme ligjore për projektet e restaurimeve, forcimeve strukturore dhe të rregullimit dhe zbatimit territorial, ku dhe është planifikuar që brenda viti 2016 të fillojnë punimet për zbatimin e tyre.
Ndërsa në kuadër të projektit për rregullim të territorit të varrezave që i përkasin periudhës së Osmanëve në Dibër janë në përfundim punimet e rregullimit dhe të rrethimit të territorit përreth, rehabilitimit të gurëve të varreve dhe ndërtimin e vendeve për përdorim të përbashkët të vizitorëve.
Duke parë nevojën dhe gjendjen e vështirë të komunitetit në lindje të vendit TIKA, tregon Tiryaki, ka realizuar një sërë projektesh për ti ardhur në ndihmë këtij rajoni.
“Në kuadër të ndihmës për rimëkëmbjen e zonës dhe popullatës që jeton aty kjo Agjenci i ka ofruar shumë familjeve dhe fermerëve, si ndihmë teknike dhe financiare për të rritur kapacitetet e tyre si dhe që të mund të nxjerrin vetë koston e jetesës. Në këtë kontekst vlen të përmendet projekti i shpërndarjes së koshereve të bletëve për afro 35 familje në vitin 2015 kë më pas është vërejtur që çdo njëra prej tyre ka arritur të fitojë rreth 1200 euro në vit nga shtija e mjaltit. Krahas ndihmës financiare këtyre familjeve i është ofruar edhe ndihmë teknike. Ky nuk është projekti i vetëm në këtë rajon i Agjencisë për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), pasi kjo Agjenci ka zhvilluar projekte të ndryshme për ti ardhur në ndihmë këtij komuniteti si përshembull nxitja e kultivimit të pemtarive të ndryshme dhe financimi i tyre në vend të kultivimit të duhanit në mënyrë tradicionale dhe me një fitim relativisht të ulët. Këtyre projekteve mund t’iu shtohen edhe projekte të tjera të ngjashme për nxitjen e kultivimit të zarzavateve bio si dhe financimi i tyre në Maqedoninë Lindore”- shprehet për AA koordinatori i TIKA-s në Maqedoni, Teoman Tiryaki.
- Ndihmat humanitare-
Krahas projekteve të shumta TIKA ka si synim edhe ardhjen në ndihmë të komunitetit në raste fatkeqësish natyrore. Tiryaki thekson se ky institucion në Maqedoni i ka qëndruar pranë komunitetit në disa raste të vështira ku vlen të përmenden përmbytjet në Tetovë apo ato në Maqedoninë Lindore, ku TIKA ka ofruar ndihma të shumta dhe të ndryshme në veshmbathje dhe paketa ushqimore.
Që prej vitit 2006 TIKA vazhdon të kontribuojë në përmirësimin e jetës si dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve shtetërore dhe atyre të shoqërisë civile në këtë vend. Ndërkohë sot pas 10 viteve me dhjetëra projekte të reja ajo vazhdon të jetë një kontribut i çmuar në Republikën e Maqedonisë.