Fatjon Cuka
10 Shtator 2021•Përditësim: 11 Shtator 2021
Lindita Nikolla është zgjedhur kryetare e re e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, pas votimit të deputetëve në seancën e kosntituimit të legjislaturës së re, raporton Anadolu Agency (AA).
Fillimisht gjatë seancës u lexua raporti i komisionit të verifikimit të mandateve dhe më pas vazhdoi procedura e betimit të deputetëve të rinj të Kuvendit.
Pas betimit, deputetët votuan për të zgjedhur kryetaren e re, ku deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Lindita Nikolla, u zgjodh në krye të Kuvendit të Shqipërisë me 79 vota pro dhe 4 vota kundër.
Në votim morën pjesë 137 deputetë, por deputetët e opozitës, të Partisë Demokratike të Shqipërisë, vendosën që t’i grisnin fletët e votimit gjatë procesit të votimit.
Gjatë fjalës përshëndetëse pas përfundimit të votimit, kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë theksoi se opozita do të ketë hapësira të plotë në këtë legjislaturë.
“Përkushtimi ndaj Republikës, Kushtetutës dhe ligjit kane qenë përherë detyrë për mua. Sot bëhen edhe një përgjegjësi shumë e lartë. Kjo përgjegjësi dhe ky përkushtim janë sot aleatët e mi në detyrën e kryetares së Kuvendit”, u shpreh Nikolla.
Legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti, filloi sot punimet me seancën e konstituimit. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, mandati i Kuvendit zgjat katër vjet.
Me zgjedhjen e kryetares së re, do të caktohet seancë tjetër për prezantimin e programit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe për votimin e përbërjes së qeverisë së re.
Fituese e zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti rezultoi Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, e cila ka siguruar mandatin e tretë qeverisës, duke fituar 74 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Në vend të dytë u rendit koalicioni i udhëhequr nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), duke fituar 59 mandate. Partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), fitoi 4 mandate, ndërkohë, 3 mandate i ka fituar edhe Partia Socialdemokrate (PSD), e cila ka konkurruar më vete.
Kush është Lindita Nikolla?
Lindita Nikolla lindi në Tiranë, më 22 tetor 1965. Ajo ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, dega Matematikë.
Nikolla ka mbajtur disa poste zyrtare në Shqipëri, si në qeverisjen qendrore ashtu edhe pushtetin vendor në Tiranë.
Në një nga qeveritë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, Lindita Nikolla ka mbajtur postin e ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Gjithashtu ajo është zgjedhur deputete në disa legjislatura dhe ka mbajtur poste të ndryshme në strukturat e Partisë Socialiste të Shqipërisë.