Senada Ibraimova
30 Dhjetor 2016•Përditësim: 30 Dhjetor 2016
SHKUP (AA) - Ansambli Kombëtar i Valleve dhe Këngëve të Maqedonisë "Tanec" sonte u paraqit me edicionin e 67-të të Koncertit të Krishtlindjeve para publikut në skenën e Operës dhe Baletit Maqedonas (OBM), raporton Anadolu Agency (AA).
Koncerti në fjalë është një shfaqje tradicionale e këngëve dhe valleve maqedonase dhe mbahet çdo vit para Vitit të Ri. Këtë vit ky koncert u ndoq edhe nga presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov.
Në skenën e OBM-së u paraqit orkestra pranë Ansambli "Tanec", udhëheqësit e së cilës janë Milano Zavkov dhe Bajca Arifovska, kori këngëtarëve i cili udhëhiqej nga Goce Conevski dhe kori i valltarëve i udhëhequr nga Jovica Bllazhevski.
Anëtarët e Ansamblit Kombëtar "Tanec" argëtuan publikun me këngë dhe valle popullore, fragmente dhe koreografi.
Ansmabli "Tanec" tashmë gjashtë dekada është një simbol i folklorit, traditës dhe kulturës maqedonase. Ai është një ambasador i kulturës që prezanton dhe shpërndan traditën maqedonase në vend dhe në mbarë botën.
Ndryshe, Ansambli "Tanec" zyrtarisht është themeluar në maj të vitit 1949, ndërsa prezantimi i parë u mbajtë në vitin 1950 në Angli, në "Festivalin Kombëtar" në Uells.