Aldıjana Hadzıc
10 Qershor 2017•Përditësim: 11 Qershor 2017
ZAGREB (AA) - Nënkryetari i Parlamentit të Turqisë, Mehmet Akif Hamzaçebi në sesionin e katërt plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore (SEECP), që u mbajt në Zagreb, tha se përgjegjësia e përbashkët e të gjithëve është krijimi i sigurisë së përhershme, stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në Ballkan i cili në çdo sektor ka shumë potencial, raporton Anadolu Agency (AA).
"Besoj se nga konfilktet e së kaluarës dhe ndarjeve duhet të nxjerrim mësim dhe të rrisim bashkëpunimin e ndërsjellë dhe solidaritetin", tha Hamzaçebi duke shtuar se problemet aktuale mund të tejkalohen duke krijuar një dialog më të ngushtë ndërmjet të gjitha vendeve.
Ai theksoi se ajo që lidh nuk është vetëm historia e përbashkët dhe vlerat, por një vizion i përbashkët për të ardhmen.
Hamzaçebi përkujtoi se Mali i Zi javën e kaluar zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s.
"Nga ana tjetër, ne shpresojmë se 'problemi i emrit' me të cilën Maqedonia është duke u përballur për shumë vite do të zgjidhet sa më shpejtë që të jetë e mundur që vendi të bashkohet me BE-në dhe NATO-n", tha Hamzaçebi.
Ai uroi qeverinë e re "mike dhe vëllazërore" të Republikës së Maqedonisë të punojë për të udhëhequr vendin drejt një të ardhme më të mirë në paqe dhe unitet.
"Realizimi i anëtarësimit në BE duhet të jetë objektiv themelor i të gjitha vendeve në Ballkan, pjesë e të cilit është dhe Turqia. Qëllimi edhe i Turqisë është të bëhet anëtare e plotë e BE-së", rikujtoi Hamzaçebi dhe shtoi se zhvillimet pozitive kohët e fundit konsiderohen si faza të rëndësishme në drejtim të së ardhmes së rajonit dhe BE-së.
Gjithashtu, individualisht uroi Malin e Zi, Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Objektivi kryesor i Asamblesë Parlamentare të SEECP është forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit të përpjekjeve ndërmjet parlamenteve të të gjitha vendeve pjesëmarrëse për të promovuar dhe për të siguruar paqe, siguri, stabilitet dhe solidaritet në Evropën Juglindore.