Besar Ademi
11 Korrik 2017•Përditësim: 12 Korrik 2017
SHKUP (AA) – Sekretari shtetëror për çështje evropiane në Ministrinë e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Michael Roth, i cili qëndron për vizitë në Maqedoni, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, deklaroi se, “ky shtet nuk ka nevojë për asgjë më shumë se reformat dhe se është e rëndësishme që ato reforma të zbatohen në interes të shtetit dhe qytetarëve të saj”, raporton Anadolu Agency (AA).
Diplomati Michael Roth theksoi se e ardhmja e Maqedonisë është në Bashkimin Evropian (BE) dhe se për një periudhë ishte një vend shembull në Evropë, por viteve të fundit i është humbur besimi, që sipas tij, me anë të reformave patjetër duhet që përsëri të arrihet.
“Unë kam pasur përshtypjen se klima politike në Maqedoni është e helmuar. Këtu nuk paraqiten konkurrentë në garë demokratike politikisht, por këtu ka urrejtje dhe armiqësi. Kjo është e papranueshme. Nuk them se kjo është fenomen maqedonas, por këtë popullarizim momentalisht e përjetojmë në shumë shtete të Evropës Juglindore dhe Lindore”, deklaroi Roth.
Roth duke theksuar se hapat e para të Qeverisë së re të Maqedonisë janë duke ecur në rrugë të drejtë, bëri thirrje që të ecet një hap drejt opozitës, me qëllim që edhe opozita të përfshihet në zbatimin e proceseve të eurointegrimeve.
“Forcat politike në Maqedoni janë të gatshëm bashkërisht të ecin në rrugën drejt Evropës. Prandaj, thirrja ime nuk i drejtohet vetëm Qeverisë, por edhe opozitës që ata të pranojnë dorën e shtrirë nga Qeveria. Mendoj se ky është pikërisht drejtimi i saktë”, u shpreh Roth, duke theksuar se tani është mundësia për dialog në rajon, të përmirësohen marrëdhëniet mes fqinjëve.
Ndërkaq, ministri Dimitrov theksoi se diplomati Michael Roth ishte i rëndësishëm dhe shumë ka ndihmuar në tejkalimin e krizës politike në Maqedoni. Ai shtoi se Maqedonia edhe në të ardhmen do të ketë nevojë për mbështetje të aspiratave të saj nga shtetet miqësore dhe partnere të Bashkimit Evropian.
“Në Maqedoni nxitja e miqësisë së sinqertë është vlerë dhe urtësi popullore, derisa në marrëdhëniet tona ndërkombëtare kjo do të ishte prioritet”, u shpreh Dimitrov, duke shtuar se, “Dëshira jonë është të ndërtojmë ura, të bëjmë miq, të zgjidhim probleme dhe të hapim dyer. Me dialog të hapur dhe të sinqertë me fqinjët, pa paragjykime dhe agjenda të fshehura”.
Dimitrov u pyet edhe për marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, çështje e cila sipas tij është ende herët për t’u njoftuar në detaje, pasi që mund të ndikojë në konsultimeve mes delegacioneve të të dy shteteve.
Diplomati gjerman i cili qëndron për vizitë në Maqedoni që nga dita e djeshme u takua edhe me zv/kryeministrin e Qeverisë së Maqedonisë të angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, ndërsa ditën e djeshme realizoi takim me kryeministrin Zoran Zaev.