Andjelija Stojkovic
17 Shtator 2017•Përditësim: 18 Shtator 2017
BEOGRAD (AA) – Sot në Beograd u mbajt "Parada e krenarisë", në të cilin rreth 1,000 pjesëmarrës kaluan nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit të Serbisë deri në Sheshin "Republika", me mesazhin se parada duhet të kontribuojë në pranimin e komunitetit LGBT, raporton Anadolu Agency (AA).
Pjesëmarrësit e paradës mbanin balona shumëngjyrëshe dhe flamujt me ngjyrat e ylberit, banderola "Për ndryshime" dhe "Krenaria nuk thirret, në krenari shkohet", kurse në krye të paradës ishin Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ministrat, kryebashkiaku i Beogradit Sinisha Mali dhe organizatorët.
Rrugët kryesore të qytetit ishin të mbyllura për qarkullimin e automjeteve, kurse në rrugë vëreheshin forca të shtuara të sigurisë, ndërsa helikopterët e policisë fluturonin mbi qendrën e Beogradit.
"Personaliteti" i paradës të këtij viti ishte Jelena Karleusha, të cilës iu nda një pjatë e rozë.
Incidenti i vetëm ndodhi kur gjatë marshit një i ri vrapoi drejt turmës dhe bërtiti "Sodomia. Kodi Penal ". Policia menjëherë ndërhyri dhe e ndaloi.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha se Serbia respekton dallimet në paradë dhe të gjithë qytetarët gëzojnë të njëjtin nivel të të drejtave të njeriut.
"Qeveria serbe është këtu për të gjithë qytetarët, si për shumicën ashtu edhe pakicat, të tregojë se respekton diversitetin", tha Brnabiç, para fillimit të paradës, duke shtuar se prania e ministrave Branko Ruzhiç dhe Zoran Gjorgjeviç është një sinjal i qartë se Serbia është një shoqëri që respekton diversitetin.
Në paradë të pranishëm ishin dhe ambasadorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe Bashkimit Evropian.
Ministri i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Branko Ruzhiç, tha se "Parada e krenarisë" tregon se Serbia nuk është shtet homofobik dhe se në Serbi po ndërtohet një shoqëri tolerante.
"Krenaria e Beogradit" angazhohet të dënojë dhunën kundër personave LGBT, duke miratuar ligje për përkatësinë gjinore.
Përfaqësuesi i Komitetit Organizativ të "Paradës së krenarisë", Goran Miletiç, tha se parada do të mbahet në vitin 2018 në të njëjtën javë të shtatorit, pra në mes të 10 dhe 16 shtatorit dhe pret pjesëmarrje edhe më të madhe.
Parada u përfundoi rreth orës 14:00 në Sheshin "Republika".