Besar Ademi
12 Janar 2017•Përditësim: 13 Janar 2017
WASHINGTON (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në SHBA për një vizitë zyrtare, është takuar me zv/presidentin amerikan Joe Biden, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Shtëpia e Bardhë, thuhet se zëvendëspresidenti Biden përsëriti se SHBA do të vazhdojë të mbështes Republikën e Kosovës dhe integrimin e plotë të saj.
“Zëvendëspresidenti inkurajoi qeverinë e Kosovës të vazhdojë të bëjë progres në dialogun me Serbinë dhe të zbatojë reformat për të adresuar korrupsionin dhe për të nxitur rritjen ekonomike në Kosovë”, theksohet në njoftim.
Presidenti Thaçi që nga dita e hënë qëndron për vizitë zyrtare në SHBA, në vazhdën e së cilës më herët realizoi takim edhe me Kryesuesin e Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit Amerikan, senatorin Bob Corker.
Siç është paralajmëruar, pritet që presidenti kosovar të realizojë takime edhe me kongresmenë dhe udhëheqës të “think-tankeve”, si dhe me personalitete tjera që luajnë rol në zhvillimet në Washington në raport me Kosovën dhe Ballkanin.