Malik Hasa
12 Janar 2017•Përditësim: 13 Janar 2017
TIRANË (AA) – Moti i keq ka përfshirë të gjithë territorin e Shqipërisë, ndërsa disa qytete për herë të parë pas shumë vitesh janë zbardhur nga dëbora. Ndër këto qytete është edhe Tirana, ku banorët e saj krahas kënaqësisë së dëborës janë përballur edhe me problemet e paparashikuara, sidomos në qarkullimin rrugor, raporton Anadolu Agency (AA).
Reshjet e dendura të dëborës përshinë Tiranën në orët e vona të natës, ndërsa qytetarë të shumtë dolën në rrugë për të shijuar bukuritë e "qytetit të bardhë", duke u entuziazmuar pasi reshjet e borës janë një fenomen i rrallë në kryeqytetin e Shqipërisë.
Kryeqyteti e gdhirë nën dëborë kishte pamje dhe ambiente të bukura për të pasionuarit, por dhe shumë probleme për trafikun dhe këmbësorët.
Xhafa Elmazi, thotë se pjesëtarët e familjes e tij gjatë reshjeve të dëborës ka dalë dhe kanë luajtur deri në orët e vona me topat e dëborës, ndërsa përsa i përket vështirësive të ditës së sotme ai thotë se dëshira për rënien e dëborës është më e madhe, duke i tejkaluar vështirësitë. "Qyteti është shumë i bukur kështu, e mbuluar nga bora. Që kur kam dalë nga shtëpia kam ecur duke bërë foto. Jam i entuziazmuar", shprehet ai.
Ilva Ymeraj, një banore e këtij qyteti thotë se dëbora në këtë qytet është diçka e rrallë që vetë ajo nuk e kishte rastisur më parë në këtë mënyrë. "Ka rënë edhe më parë, por jo si mbrëmë. Ishte shumë bukur dhe u kënaqëm shumë", thotë Ymeraj. Ajo tregon se megjithëse ka shijuar pamjet tërheqëse gjatë mëngjesit të sotëm ka hasur vështirësi për ardhjen në punë për shkak të ngricave dhe pranisë së dëborës në rrugë.
Edhe Besnik Bajraktari tregon i entuziazmuar se rënia e dëborës kishte krijuar pamje tërheqëse. "Si këtë herë nuk ka qëndruar ndonjëherë dëbora për shkak se temperaturat ishin të ulëta dhe i ka dhënë një bukuri të veçantë Tiranës. Edhe pse ajo është e bukur gjithmonë dëbora i ka dhënë një hijeshi shumë të veçantë", thotë ai dhe shton se këtë kënaqësi e shikon tek të gjithë njerëzit.
Ndërkohë dëbora ka zbardhur edhe qytete të tjera ku ky fenomen është i rrallë. Elbasani, Durrësi, Kavaja, dhe Lushnja janë disa qytete ku rënia e dobërës është e rrallë dhe ka gëzuar banorët, por surprizë shumë më e bukur ishte rënia e dëborës në qytetin e Fierit ku thuhet se një dëborë e tillë është parë para rreth 30 vitesh.
Sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, gjatë ditës së sotme në vende malore temperaturat minimale do të zbresin deri në -17, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -3. Në vendet e ulta temperaturat minimale do të zbresin deri në -4, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 5 gradë.