Besar Ademi
09 Qershor 2016•Përditësim: 09 Qershor 2016
OHËR (AA) – Presidenti i Republikës së Çekisë, Milosh Zeman, në kuadër të vizitës së tij zyrtare dyditore në Maqedoni, sapo ka arritur në Aeroportin “Shën Apostol Pali” në Ohër, ku u prit me nderime më të larta shtetërore nga ana e presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti çek vizitën e tij zyrtare do ta fillojë me një takim kokë më kokë me presidentin maqedonas, pas së cilës do të zhvillohet takim plenar i delegacioneve zyrtare të të dy shteteve.
Presidenti Ivanov do ta dekorojë presidentin Zeman me dekoratën “8 Shtatori” për meritat e jashtëzakonshme mbi zhvillimin dhe përforcimin e marrëdhënieve miqësore, bashkëpunimin e qetë të barabartë mes dy vendeve, si dhe për afirmimin dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare dhe autoritetit të Maqedonisë.
Gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare, presidentët e të dy shteteve do të adresohen me fjalim në Forumin e Biznesit Maqedoni-Çeki, në të cilin do të marrin pjesë përfaqësues nga Odat Ekonomike të të dy vendeve, si dhe afaristë maqedonas dhe çek nga shumë sfera, si energjetikë, turizëm, sfera bankare, ushqimore, automobilistike dhe të industrisë farmaceutike.
Presidenti Ivanov dhe Zeman gjatë ditës së nesërme do ta vizitojnë edhe komplekstin e manastirit “Shën Naumi i Ohrit”.