Adel Ömeragiç,Lejla Bıogradlıja
20 Shkurt 2017•Përditësim: 21 Shkurt 2017
PODGORICË (AA) - Ministri i Jashtëm i Estonisë, Sven Mikser, duke rikujtuar se në gjysmën e dytë të vitit do të marrin presidencën e rradhës së BE-së ka theksuar se Estonia është pro zgjerimit të BE-së dhe NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).
Mikser në kuadër të takimeve zyrtare në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, është takuar me homologun malazez, Srdjan Darmanoviç dhe ministrin e Çështjeve të Europës, Aleksandar Andrija Pejovic.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit me homologun Darmanoviç, Mikser ka theksuar se në gjysmën e dytë të vitit do të marrin presidencën e radhës së BE-së dhe është shprehur se Estonia është pro zgjerimit të BE-së dhe NATO-s.
"Shpresoj se Mali i Zi gjatë periudhës së presidencës sonë në BE do të hapë dhe do të mbyllë disa kapituj. Sot nuk është e lehtë të jesh vend anëtar i BE-së", është shprehur Mikser duke theksuar se kanë mbështetur që në fillim anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Ndër të tjera ai ka rikujtuar se muajin e ardhshëm do të nisin edhe bisedimet për "Brexit", duke uruar që ky proces të mos hedhë hije mbi rrugën e vendeve që përparojnë drejt anëtarësimit në BE.
Edhe Darmanoviç duke vënë në dukje se Estonia është vendi i parë që Mali i Zi ka formuar marrëdhënie diplomatike, tha se dy vendet kryejnë bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe se dëshirojnë që të vazhdojnë këtë bashkëpunimin edhe në fushën e ekonomisë dhe të bujqësisë.
"Estonia nuk është vetëm një mik i mirë, por në të njëjtën kohë është edhe një partner jashtëzakonisht i mirë", është shprehur Darmanovic duke theksuar se gjatë presidencës së Estonisë do të hapin kapituj të rinj në procesin e anëtarësimit në BE.