Adel Ömeragiç
28 Shkurt 2017•Përditësim: 28 Shkurt 2017
PODGORICË (AA) - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini nesër do të vizitojë Malin e Zi, ku do të takohet me përfaqësuesit e Qeverisë, partive politike dhe parlamentit, raporton Anadolu Agency (AA).
Mogherini nga 1- 4 marsi do të qëndrojë për vizitë në vendet e Ballkanit Perendimor, ku pas Malit të Zi do të vizitojë Shqipërinë, BeH, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë.
Gjatë vizitës së saj në Mal të Zi, Mogherini do të flas në Parlamentin e Malit të Zi. Ajo do t'iu drejtohet deputetëve në seancën e posaçme që do të fillojë në orën 18.30.
Vizita e Mogherinit në Mal të Zi vjen në mes të krizës politike në këtë vend, e cila reflektohet me bojkotin e parlamentit nga ana e të gjithë opozitës.
Shefja e diplomacisë evropiane në prag të vizitës tha se bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor, për BE-në është një nga prioritetet kryesore. Siç tha, si rezultat i punës së saj, ajo dëshiron të shohë përparim në reformat në rrugën drejt BE-së në mesin e të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor, për t'u siguruar se ky proces është i pakthyeshëm.
Për vizitën e saj, siç bëhet e ditur, ajo do t'i informojë ministrat e jashtëm të BE-së në një takim të Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë më 6 mars.