Fatjon Cuka
18 Nëntor 2016•Përditësim: 19 Nëntor 2016
TIRANË (AA) - Ka filluar në Tiranë Samiti i Diasporës Shqiptare, i cili organizohet për herë të parë nga qeveria shqiptare në datat 18-20 nëntor 2016, raporton Anadolu Agency (AA).
Hapja e këtij samiti është bërë nëpërmjet një ceremonie në Pallatin e Brigadave, ku mbajti një fjalim edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ministra të kabinetit qeveritar, diplomatë, etj.
Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij ka vlerësuar rëndësinë e diasporës shqiptare nëpër botë, e cila sipas tij ka luajtur një rol thelbësor për Shqipërinë.
“Ky është takimi i parë i shtegtarëve shqiptarë. Mbledhja juaj sot në këtë pallat, aq saç ishte e paimagjinueshme dikur është frymëzuese për qytetarët. Të shohim të gjithë së bashku se si mund të bashkojmë fuqinë e ëndrrave, ideve dhe parave”, u shpreh Rama.
Sipas organizatorëve Samiti i Diasporës, do të shërbejë si platformë bashkëbisedimi midis shqiptarëve për të rimëkëmbur dhe për t'i strukturuar më mirë marrëdhëniet midis komunitetit të shqiptarëve me banim jashtë atdheut dhe vendit të tyre.
Nëpërmjet këtij samiti qeveria shqiptare synon të arrijë angazhime konkrete në projekte të gjithanshme zhvillimi për gjuhën, kulturën e shoqërinë shqiptare.
Gjatë ditëve të zhvillimit të samitit do të ketë gjithsej tetë panele ku do të flitet për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me kulturën, zhvillimin ekonomik, përfaqësitë diplomatike, etj, ku do të marrin pjesë panelistë të ndryshëm si nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.
Në këtë samit marrin pjesë qindra shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës.