Ekip
01 Janar 2018•Përditësim: 02 Janar 2018
SHKUP/TIRANË/PRISHTINË (AA) - Foshnja e parë e lindur në Maqedoni në vitin 2018 është vajzë ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë është djalë. Fëmijët e sapolindur dhe nënat janë në gjendje të mirë shëndetësore, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov së bashku me ministrat Venko Filipçe dhe Mila Carovska, sot ishin për vizitë në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup, ku ka lindur foshnja e parë në vitin 2018.
Nga Klinika për Gjinekologji në Shkup informojnë se foshnja e parë ka lindur një minutë pas mesnate dhe është fëmija i dytë i nënës Borjana Radevska nga Shkupi.
Siç njoftoi drejtoresha Adela Pop Stefanija, në Klinikën për Gjinekologji kanë lindur gjithsej 10 foshnja.
"Vitin e Ri e kemi filluar me një foshnjë të gjinisë femërore, në gjendje të shëndetshme, e drejtë, e lindur në mënyrë spontane me peshë prej 3 kilogramë e 70 gram dhe e gjatë 49 centimetra. Le të jetë edhe ky vit i begattë siç e filluam me një foshnje femër. Të harrojmë të këqijat dhe të mendojmë vetëm për të ardhmen me momente të mira", tha drejtoriesha Adela Pop Stefanija.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në deklaratën e tij për mediat tha se prindërve ua ka uruar fëmijën e dytë në familje duke i dëshiruar rritje të shëndetshme dhe duke dëshiruar se do t'i ftojnë në ditëlindjen e parë.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Carovska theksoi se ministria përgjegjëse së bashku me qeverinë kujdeset për të gjithë fëmijët në shtet.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Shilegov tha se tradicionalisht foshnjës së posalindur, Teodorës së vogël i dhuruan librezë kursimi në vlerë prej 20 mijë denarë.

Ndërkohë në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik "Koço Gliozheni" në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ka ardhur në jetë fëmija i parë për vitin 2018.
Djali i quajtur Lael me peshë 4 kg e 100 gram erdhi në jetë pak çaste pasi kishte hyrë viti i ri 2018 në orën 00:01 minuta dhe sipas mjekëve gëzon shëndet të plotë së bashku me nënën e tij.
Mjekja gjinekologe, Banu Shushku në një prononcim për mediat u shpreh se: "Ishte kënaqësi që morëm pjesë në lindjen e bebes së parë për vitin 2018. Fëmija lindi me operacion, dhe lindi 4 kg e 100 gramë me gjatësi 52 cm, me parametrat vitale normale".
Mjekja Shushku theksoi se nëna dhe foshnja gëzojnë shëndet të mirë.

Mbrëmë në mesnatë në ora 00:00, në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ka lindur fëmija i parë në vitin 2018.
Fëmija i parë Ajni është djalë dhe peshon 3 kilogram e 250 gram. Nëna dhe foshnja gëzojnë shëndet të mirë. Nëna e foshnjës është Fatmire Azemi nga Podujeva dhe Ajni është fëmija i tretë i saj.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili së bashku me bashkëshorten e tij kanë kaluar momentet e para të vitit të ri pranë foshnjës së parë të vitit 2018.