Sibel Vezaj
22 tetor 2017•Përditësim: 22 tetor 2017
PRISHTINË (AA) – Në pikën kufitare në Jarinje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në një autobus u gjetën dy granata dore dhe dy detonatorë të cilat janë çaktivizuar në mënyrë të sigurtë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti në një deklaratë për AA konfirmoi se pajisja shpërthyese është gjetur gjatë një inspektimi rutinë të autobusëve të cilët udhëtojnë nga Serbia për në Kosovë. Ai njoftoi se lidhur me rastin janë arrestuar tre persona.
"Pajisjet shpërthyese janë identifikuar nga Policia e Kosovë gjatë kalimit, pastaj rasti u mor nga njësia hetuese. Ndërsa 3 persona u arrestuan të cilët u dërguan për t'u marrë në pyetje", tha Hoti.
Ai njofton se në vendngjarje ka arritur edhe një prokuror publik, i cili do të ndjekë procedurat penale lidhur me rastin.
Hoti po ashtu bën të ditur se në autobus ishin mbi 50 pasagjerë dhe se vazhdojnë shyqrtimet lidhur me atë se nëse ishte kjo linjë e rregullt, apo persona të organizuar nga Serbia të cilët shkonin për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të mbajtura sot në Kosovë.