Figen Shaban,Sibel Vezaj
21 Prill 2017•Përditësim: 22 Prill 2017
GJILAN (AA)- Zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Yıldız, sot mori pjesë në aktivitetet me rastin e “23 Prillit, Ditës së Komunitetit Turk të Kosovës", në Gjilan, qytet në lindje të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Yıldız, i cili po qëndron në Kosovë për një vizitë zyrtare, sot mori pjesë në programin e përgatitur nga nxënësit e klasave turke të shkollave fillore të Gjilanit dhe Doburçanit në Teatrin e qytetit të Gjilanit. Në këtë aktivitet të pranishëm ishin edhe ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yağcılar, zv/ministri i Shëndetësisë, Kadir Hyseini dhe ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç.

Zv/ministri turk i Punëve të Jashtme, gjatë fjalimit të tij në hapjen e programit, duke theksuar praninë e Turqisë në ditë të mira dhe të këqija të Kosovës tha se "Sot jam duke parë që në këtë shtet mik bashkatdhetarët tanë po i festojnë të drejtat e tyre kushtetuese, po ruajnë gjuhën dhe kulturën e tyre. Ky fakt është duke na gëzuar edhe neve”.
Ndërsa, kryetari i komunës së Gjilanit, Lufti Haziri vuri theksin në marrëdhëniet historike të qytetit të Gjilanit me Turqinë dhe u shpreh: “Historia e qytetit të Gjilanit nuk ndahet në shqiptar e turk, ata kanë qenë në lidhje fisnore, lidhje që nuk janë ndarë asnjëherë në asnjë pjesë të jetës. Kontributi i tyre për zhvillimin e qytetit, për lirimin e Kosovës dhe Gjilanit, për zhvillimin ekonomik dhe të gjitha të mirat që sot ne i gëzojmë së bashku, nuk ndahet”.
Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç gjatë fjalës së saj vuri theksin tek rëndësia e festës së 23 prillit duke thënë se “Turqia është shteti i parë dhe i vetëm në botë që ka dhuruar një festë fëmijëve të saj dhe ka ndarë këtë festë me gjithë botën. Për këtë arsye ne ndjehemi shumë krenar dhe të lumtur."
Programi vazhdoi me valle folklorike, performancë teatrale, poezi, këngë dhe performancë muzikore të përgatitura nga nxënësit.
Pas programit zv/ministri Yıldız, së bashku me delegacionin të cilët morën pjesë në këtë program morën pjesë edhe në panelin e organizuar në kuadër të "Ditës së Komunitetit Turk të Kosovës" me temë “ Të rinjtë e komunitetit turk të Kosovës dhe jeta sociale e tyre”. Ai pasi dëgjoj pyetjet dhe pikëpamjet e tyre, theksoi se rinia kosovare është pjesë e Evropës dhe shprehu dëshirën për të jetuar së bashku nën kulmin e Evropës.
Gjatë ditës, ambasadori Yıldız realizoi takime edhe me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe inistrin e Administratës Publike Mahir Yağcılar, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Po ashtu është bërë e ditur se më datat 22 dhe 23 prill ai do të marrë pjesë edhe në aktivitetet e organizuara në qytetin e Prizrenit dhe Mamushë.