Sibel Vezaj
25 Tetor 2016•Përditësim: 26 Tetor 2016
PRISHTINË (AA) - Republika e Turqisë vazhdon ta mbështesë Republikën e Kosovës, në fusha të ndryshme, posaçërisht në fushën e arsimit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Së fundmi Turqia, nëpërmjet Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka filluar dy projekte në Komunën e Gjakovës për rinovimin e Konviktit të nxënësve dhe Studentëve “Sadik Stavileci” dhe rinovimin e objektit historik të shkollës “Mejtepi Ruzhdie”, si dhe ka mbështetur instalimin e sallës për shumë qëllime në Gjimnazin "Eqrem Çabej" në Komunën e Vushtrrisë.
Në një njoftim nga Komuna e Gjakovës bëhet e ditur se sot kryetarja e kësaj komune, Mimoza Kusari - Lila, ka pritur në takim ambasadoren e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç me të cilën ka biseduar për bashkëpunimet e tashme dhe të ardhme në mes të komunës së Gjakovës dhe ambasadës turke e shtetit turk në përgjithësi.
Ajo ka falënderuar shtetin turk i cili përmes TIKA-s por edhe përmes formave tjera tash e sa kohë është duke investuar në komunën e Gjakovës. Si për këto dy projekte të fundit, ashtu edhe projektet tjera, kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se banorët e komunës së Gjakovës i janë falënderues popullit turk, për ndihmën konkrete që po e jep për Gjakovën.
Në anën tjetër, në një njoftim nga TIKA në Kosovës, bëhet e ditur se TIKA së fundmi, me projektin e realizuar në Komunën e Vushtrrisë, ka mundësuar që nxënësit e Gjimnazit "Eqrem Çabej", i cili është i vetmi në këtë komunë, do të kenë mundësi që mbledhjet, provimet, kurset gjuhësore, trajnimet të ndryshme, konferencat si dhe aktivitetet e tjera ti zhvillojnë në këtë sallë të instaluar.
Në ceremoninë e përurimit të kësaj salle, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku njoftoi opinionin për marrëdhëniet e afërta dhe të sinqerta të komunës me institucionet e Republikës së Turqisë dhe falënderoi Qeverinë e Turqisë, Ambasadën e Turqisë, TIKA-në dhe të gjithë institucionet e tjera të Republikës së Turqisë për mbështetjet e tyre.
Kurse me këtë rast, shefi i zyrës së TIKA-së në Kosovë, Necip Özay Özütok bëri të ditur se TIKA do vazhdojë të krijojë projekte në sektorin e arsimit, në mënyrë që të sigurohen ambiente bashkëkohore për nxënësit, të cilët paraqesin ardhmërinë e Kosovës.