Sibel Vezaj
28 Shtator 2016•Përditësim: 28 Shtator 2016
PRISHTINË (AA) - Zyra për Çështje të Komuniteteve, sot mbajti një konferencë ceremoniale, për festimin e Ditës së Komunitetit Boshnjak në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konferencë morën pjesë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Administratës Publike, Mahir Yağcılar, ministri pa portofol, Rasim Demiri, përfaqësues të komunitetit boshnjak, zyrtarë të misioneve dhe organizatave ndërkombëtare si dhe qytetarë të komunitetit boshnjak të Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, me këtë rast u shpreh se populli shqiptar ndan një pjesë të historisë me komunitetin boshnjak, duke vënë në dukje se bashkëjetesa mes këtyre dy komuniteteve është histori e krenarisë.
Duke vënë në dukje se Dita e Komunitetit Boshnjak është bërë një festë zyrtare e Republikës së Kosovës e cila shënohet me respekt, Mustafa u shpreh se “Historia e komunitetit boshnjak në Kosovë është shembull i jetës së përbashkët, është histori e jona, ku bashkë e kemi ndarë të mirën dhe të keqen, është një histori me shumë mundime, por një histori e lavdishme dhe shumë e dinjitetshme”.
Ai shtoi se komuniteti boshnjak gjithmonë dhe me përkushtim të plotë është përpjekur t’i ndërtojë institucionet vendore dhe ta demokratizojë Republikën e Kosovës.
“Ky përkushtim i komunitetit boshnjak të Kosovës është përkushtim për një Kosovë multietnike, për një Kosovë të zhvilluar dhe për një Kosovë e cila duhet të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian”, tha Mustafa.
Ai gjithashtu foli për nevojat arsimore, kulturore, ekonomike dhe identitare të këtij komuniteti, duke vënë në dukje se Qeveria e Kosovës po angazhohet në ndërtimin e një Kosove ku të gjithë qytetarët e saj kanë të drejtat e barabarta.
Ndërkaq, ministri pa portofol, Rasim Demiri u shpreh se të gjitha komunitetet e Kosovës kanë të drejtën e shënimit të ditës së tyre, ku sot po shënohet edhe ajo e boshnjakëve me manifestime dhe aktivitete të ndryshme. Ai theksoi se nëpërmjet këtyre po mundësohet promovimi i gjuhës, traditës dhe kulturës boshnjake.
Demiri, gjithashtu shtoi se kjo ditë, e cila në Kosovë po njihet si Dita e Boshnjakëve, është festë kombëtare e këtij komuniteti.
Kurse, ministri i Administratës Publike, Mahir Yağcılar, theksoi se Kosova si nga paslufta ashtu edhe nga shpallja e pavarësisë së saj, ka dhënë rëndësi për të gjitha komunitetet të cilët jetojnë në këtë vend.
Me rastin e Ditës së Boshnjakëve të Kosovës sot do të mbahet një manifestim edhe në qytetin e Prizrenit.
28 Shtatori festohet si “Dita e Boshnjakëve të Kosovës”, njëkohësisht me "Ditën Ndërkombëtare të Boshnjakëve", e cila ishte futur në kalendarin e festave botërore nga bashkësia ndërkombëtare dhe OKB-ja pasi që në vitin 1993, në Kongresin e Dytë të Intelektualëve Boshnjak ishte marrë vendimi për kthimin e emrit historik të popullit boshnjak si dhe emri i gjuhës boshnjake.