Nazmi Abduramani
01 Dhjetor 2016•Përditësim: 02 Dhjetor 2016
SHKUP (AA) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov sot ka zhvilluar takim me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian, ambasadorin Samuel Zhbogar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takimin, siç informojnë nga kabineti presidencial, u bisedua për integrimet evropiane të Republikës së Maqedonisë, për situatën me krizën e refugjatëve dhe të migrantëve si dhe për ndodhitë aktuale politike në vend.
Presidenti Ivanov në takimin me ambasadorin Zhbogar theksoi nevojën e qasjes së re të BE-së ndaj Republikës së Maqedonisë, duke theksuar se qasja e deritanishme e Unionit u tregua si joproduktive dhe rezultoi me procese retrograde politike në vend, në vend të avancimit të kulturës politike dhe të proceseve reformuese.
Lidhur me krizën e refugjatëve dhe migratore, bashkëfolësit shkëmbyen mendime për paralajmërimet për një valë të re të refugjatëve dhe mundësitë për rritjen e rreziqeve dhe kërcënimeve të sigurisë nga ekstremizmi i dhunshëm.
Duke potencuar rëndësinë e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit dhe Evropës, Ivanov riafirmoi nevojën e qasjes deri te bazat e të dhënave të BE-së për futje dhe krahasim të të dhënave të migrantëve dhe luftëtarëve të huaj terroristë, shkëmbim të të dhënave dhe rritjes së bashkëpunimit mes shërbimeve kundërzbuluese dhe të tjera.
“Përkundër krizës së brendshme politike, Maqedonia tregoi se ka institucione stabile, qasje proaktive dhe preventive në përballjen me krizën migratore. Ju nuk mund të mbroni kufijtë tuaj të jashtëm, nëse njëherë nuk i siguroni korridoret përgjatë shteteve që janë jashtë BE-së. Maqedonisë i nevojitet ndihmë që t’iu ndihmojë juve”, porositi Ivanov në takimin me ambasadorin Zhbogar.
Në takim presidenti Ivanov dhe ambasadori Zhbogar shkëmbyen mendime edhe për politikën e jashtme të Republikës së Maqedonisë lidhur me vendet fqinje dhe rolin aktiv të Maqedonisë në ndërtimin e bashkëpunimit rajonal.