Bekim Laci
22 Shkurt 2017•Përditësim: 22 Shkurt 2017
SHKUP (AA) - Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka pritur në një takim drejtoreshën rajonale të Organizatës Ndëkombëtare për Migrim (IOM) e ngarkuar për Evropën Juglindore, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, Argentina Shabados, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç bëjnë të ditur nga kabineti presidencial, të dy bashkëbiseduesit kanë këmbyer mendime për gjendjen aktuale me krizën e refugjatëve dhe emigrantëve si dhe për strategjitë dhe aktivitetet e IOM-it përfshirë dhe rolin e Maqedonisë në ballafaqim me krizën e emigrantëve.
“Shërbimet e sigurisë të Republikës së Maqedonisë përballen me krizën e emigrantëve në një mënyrë të përgjegjshme dhe profesionale, me ndihmë humanitare që është në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe ato ndërkombëtare”, ka thënë Ivanov për të shtuar se vendi është duke i zbatuar masat e parapara që janë në pajtim me Këshillin e Evropës të cilat kanë për qëllim të parandalojnë kërcënimet nga migrimi ilegal, të mbrojnë kufijtë dhe të ruajnë integritetin e zonës së Shengenit.
Shabados nga ana e saj ka informuar presidentin Ivanov për stategjitë dhe prioritetet e IOM-it lidhur me bashkëpunimin e mëtejshëm me Republikën e Maqedonisë në sferën e migrimeve.
“Drejtoresha rajonale u shpreh e kënaqur me qasjen dhe trajtimin e Republikës së Maqedonisë ndaj refugjatëve dhe emigrantëve që është në përputhje me standardet ndërkombëtare njëherësh përshëndeti mënyrën se si Maqedonia përballet me krizën e emigrantëve”, thuhet në kumtesë.