Sibel Vezaj
17 Janar 2017•Përditësim: 17 Janar 2017
PRISHTINË (AA)- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ish-përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Catherine Ashton, e cila po qëndron për vizitë në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi ishte i mbyllur për media, kurse në një njoftim nga zyra e kryeministrit bëhet e ditur se gjatë takimit, kryeministri Mustafa ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve për kontributin që Baronesha Ashton ka dhënë për Kosovën gjatë mandatit të saj si përfaqësuese e lartë e BE-së.
Duke vlerësuar përkushtimin e Baroneshës Ashton gjatë procesit evropian të dialogut të zhvilluar në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Mustafa, ka njoftuar edhe për zhvillimet e fundit në këtë proces.
“Republika e Kosovës është e vendosur për fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet në rajon. Përkundër zvarritjeve dhe provokimeve të shkaktuara nga pala serbe, Kosova edhe gjatë procesit të dialogut në Bruksel, po dëshmon se është model rajonal dhe më gjerë i përkushtimit për dialog, për paqe dhe stabilitet”, ka thënë kryeministri.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka folur për zhvillimet e fundit, duke e njoftuar për punën që po bëhet në fuqizimin e shtetësisë, subjektivitetit ndërkombëtar, zhvillimin ekonomik dhe integrimet euroatlantike.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit, kryeministri Mustafa ka shprehur mirënjohje edhe për përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar, duke theksuar besimin e plotë se Londra do të vazhdojë mbështetjen për shtetin e Kosovës, e cila tashmë është konfirmuar edhe nga Sekretari Boris Johnson.
Ndërkaq, ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baronesha Catherine Ashton, në takim ka vlerësuar arritjet në Kosovë gjatë kësaj periudhe.
Duke çmuar përkushtimin e Kosovës në rrugën euroatlantike, Baronesha Ashton ka theksuar edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut si mënyra më e mirë e normalizimit të relacioneve ndërmjet shteteve në rajon dhe më gjerë.
Ndërkaq, sot brenda ditës Ashton do të takohet edhe me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, i cili për kontributin e saj në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për përafrimin e Kosovës me BE-në, do ta dekorojë baroneshën me Medaljen Presidenciale të Meritave.