Sibel Vezaj
17 Janar 2017•Përditësim: 17 Janar 2017
PRISHTINË (AA) – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me të cilin ka biseduar për arritjet e FSK-së dhe ngritjen e kapaciteteve të saj për t’iu përgjigjur nevojave të Republikës së Kosovës, për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Kosovës thuhet se gjatë këtij takimi gjenerallejtënant Rrahman Rama ka informuar presidentin Thaçi për të arriturat e FSK-së dhe ngritjen e kapaciteteve të kësaj force.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s dhe është e gatshme të jetë ushtri e Kosovës”, është shprehur gjenerallejtënant Rama.
Në njoftim thuhet se presidenti Thaçi është shprehur i kënaqur me arritjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me planet për të ardhmen e kësaj force.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është rekrutuar dhe është përgatitur në bashkëpunim me NATO-n dhe sipas standardeve të NATO-s. FSK është forcë profesionale e standardeve të NATO-s, shumetnike, me përfaqësim të duhur gjinor dhe e gatshme t’u përgjigjet të gjitha sfidave të sigurisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar presidenti Thaçi.