Zülfiya Yakup
12 Korrik 2017•Përditësim: 13 Korrik 2017
PRISHTINË (AA) – Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2017, në Kosovë janë gjetur mbetjet mortore të tetë personave të zhdukur, identifikimi i të cilëve është në vazhdim e sipër, informoi komisioni qeveritar për persona të zhdukur në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i këtij komisioni, Prenk Gjetaj, pas një takimi, në të cilin është dorëzuar raporti për punën në gjashtë muajt e parë, tha se nuk është i kënaqur me punën e bërë, meqë sipas tij, 1658 persona akoma llogariten për të zhdukur.
"Në disa hetime nuk është gjetur asgjë, por disa prej tyre kanë të bëjnë me zbardhjen e identitetit. Mbetet si një obligim dhe prioritet gjetja e mekanizmave që mund të ndihmojnë dhe të përshpejtojë procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur”, tha ai.
Gjetaj vuri në dukje numrin e madh të aktiviteteve gjatë këtij viti, duke veçuar konferencën për personat e zhdukur që u mbajt në Gjenevë në fund të qershorit, organizuar nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, me pjesëmarrje të shqiptarëve dhe serbëve.
"Konkluzionet nga ky takim ishin se duhet të ketë më shumë transparencë, për tu hapur arkivat dhe ne vazhdimisht aludojmë për arkivat institucionale serbe, sepse ata kanë vepruar në mënyrë sistematike, por të hapen edhe arkivat e institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë pas luftës”, tha Gjetaj.
Ai tha se nga NATO kërkojnë të sigurojë pamje satelitore të lokacioneve që dyshohen se janë varreza masive.
Bajram Qerkini, përfaqësues i shoqatës së familjeve të shqiptarëve të zhdukur në Kosovë, tha se familjet nuk janë të kënaqura me punën e kërkimit të personave të zhdukur dhe se asnjë vend nuk është eksploruar plotësisht.