Fatjon Cuka
07 Korrik 2017•Përditësim: 08 Korrik 2017
TIRANË (AA) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) ka miratuar sot vendimin për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë Kavajë, në Qarkun e Tiranës, ku u shpall fitues Isa Sakja, i kandiduar nga opozita, raporton Anadolu Agency (AA).
Zgjedhjet në Kavajë u mbajtën pas shkarkimit nga detyra të ish-kreut të kësaj bashkie Elvis Rroshi.
Zgjedhjet e pjesshme për kreun e Bashkisë së Kavajës u mbajtën në të njëjtën datë me zgjedhjet e përgjithshme, më 25 qershor të këtij viti dhe në garë ishin tre kandidatë, Isa Sakja nga Partia Demokratike e Shqipërisë, Dorian Murati nga Partia Socialiste dhe Maksim Kona nga Partia Lëvizja Socialiste për Integrim.
Ndërkohë nga ana tjetër KQZ akoma nuk ka bërë të ditur ankesat e partive për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme.
Ndërsa në ditët në vazhdim ky institucion pritet të miratojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, pasi të përfundojë edhe procesi i ankesave nga partitë politike.