Fatjon Cuka
10 Nëntor 2016•Përditësim: 10 Nëntor 2016
TIRANË (AA) - Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë është prezantuar sot studimi "Barometri Ballkanik 2016", ku në fokus ka patur edhe opinionin e qytetareve të rajonit në lidhje me politikat qeverisëse për sektorë të ndryshëm dhe ecurinë për integrimin evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
Studimi ka në fokus kryesisht perceptimet e opinionit publik dhe bizneseve në rajon mbi trendet e ndryshme socio-ekonomike, klimën e të bërit biznes dhe pritshmëritë mbi procesin e integrimit evropian.
Në aktivitetin e organizuar për prezantimin këtij studimi mbajti një fjalë përshëndetëse edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
"Ajo që është sot e rëndësishme për qytetarët e zakonshëm, për biznesin, shoqërinë civile, profesorët dhe studentët është procesi i demokratizimit të vazhdueshëm të vendit dhe procesi i konsolidimit të trajektores së zhvillimit ekonomik dhe social. Në këtë kontekst nuk ka diskutim për ne që integrimi evropian është fuqia transformuese dhe modernizuese e vendit dhe është fuqia transformuese dhe modernizuese e të gjithë rajonit. Vendet e rajonit kanë arritur të kenë një pakt ndërlidhshmëri", u shpreh Bushati.
Sipas studimit, në perceptimin qoftë të publikut, por edhe të grupeve të biznesit ka një pakënaqësi në lidhje me politikat e ndryshme që ndiqen nga qeveritë në rajon, ndërsa bashkëpunimi rajonal gjen mbështetje të fortë. Ndërkohë në studim theksohet se mes qytetarëve ka një pesimizëm në rritje në lidhje me perspektivën e integrimit evropian, ndërsa tregu i punës shikohet si një problem kyç për gjithë rajonin.
Një ndër konkluzionet e studimit është se qytetarët nuk kanë shumë shpresë për përmirësimin e cilësisë së qeverisjes në përgjithësi në gjithë rajonin, sidomos për çështjen e korrupsionit dhe shërbimeve publike.
Janë rreth 150 pyetje që iu janë drejtuar kategorive të ndryshme shoqërore për çështjet për tregtinë, tregun e punës, papunësinë, korrupsionin, ecurinë e procesit të integrimit evropian, etj. Ky studim është realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).