Admir Fazlagikj
07 Maj 2017•Përditësim: 08 Maj 2017
SHKUP (АА) - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë kumtoi se njësiti "Alfa" dje e ka privuar nga liria dhe e ka arrestuar në stacionin policor Kisella Vodë P.A (65) nga Shkupi për shkak të dyshimit bazë për veprën e kryer penale "pjesëmarrje në turmë që do të kryejë vepër penale" më 27 prill në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në kumtesën e MPB-së thuhet se me personin është zhvilluar bisedë zyrtare, në të cilën ai i sqaroi veprimet e ndërmarra. "Pasi P.A. ka hyrë në sallën ku mbahej konferenca për media, me përdorimin e forcës fizike i ka sulmuar deputetët Z.Z., R.Sh. dhe R.I. ndërsa është përplasur edhe me të punësuarit e sigurimit", thuhet në kumtesë.
Pas përfundimit të bisedës dhe konstatimit të veprimeve, thekson MPB-ja, dje rreth orës 19:00, P.A. i është dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike në Shkup për procedurë të mëtutjeshme.
MPB-ja bëri të ditur se në kuadër të masave të cilat SPB Shkup i ka ndërmarrë për identifikimin e pjesëmarrësve në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Parlament, më 5 maj në bisedime zyrtare janë thirrur edhe tre persona, dy nga Shkupi dhe një nga Velesi.
"Nga ana e Prokurorit publik është dhënë orientim, pas përfundimit të kontrolleve të nevojshme dhe bisedimeve zyrtare, personat të lirohen nga stacioni policor, ndërsa materiali i dokumenteve për dëshmi për ta, në periudhën paraprake të dakorduar, në hapësirat e Prokurorisë Themelore Publike t'u prezantohet. Pas shqyrtimit të materialit të prezantuar dëshmues në PTHP, nga ana e tyre do të jepen orientime kur do t'u shqiptohet kallëzim penal dhe në cilën mënyrë do të sigurohen personat e njëjtë, në kuptimin nëse do të thirren ose do të privohen nga liria me urdhrat e dhëna paraprakisht nga Prokuroria themelore publike", informon MPB-ja.
Në njoftim shtohet se Sektori i Punëve të Brendshme- Shkup në konsultim dhe bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike edhe më tej ndërmerr masa dhe aktivitete në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur më 27 prill në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë si dhe në identifikimin dhe dokumentimin edhe të personave tjerë pjesëmarrës në ngjarjet.