Sibel Vezaj
08 Maj 2017•Përditësim: 09 Maj 2017
PRISHTINË (AA) – Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur se mbledhja e qeverisë për “shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimim e marrëveshjes për kufirin shtetërorë ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, e cila ishte paraparë të mbahet sot, është shtyrë për të mërkurën e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Qeveria e Kosovës njofton se shtyrja e mbledhjes është bërë pas diskutimeve me partnerët e koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e SHBA-ve në vend. Nga zyra e kryeministrit theksojnë se mbledhja e paraparë do të mbahet të mërkurën, pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku në rend të ditës është votimi për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës ishte paraparë të mbahej gjatë ditës së sotme nën udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, mirëpo në sallën e mbledhjeve të Qeverisë erdhën vetëm ministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kurse ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk erdhën fare. Ministrat e LDK-së, pas rreth gjysmë ore pritjeje lëshuan sallën e mbledhjes.
Ndërkaq, mësojmë se në sallën e mbledhjeve nuk ishte i pranishëm as kryeministri i Kosovës dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ndodhej në një takim me kryetarin e Kuvendit dhe kreun e PDK-së, Kadri Veselin.
Në anën tjetër, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, duke lëshuar sallën tha se procedimi i projektligjit të demarkacionit është shtyrë për të mërkurën. Kurse po të njëjtën ditë do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku pika e vetme e rendit të ditës është votimi për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.
Anulohen protestat e paralajmëruara nga opozita
Partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, për ditën e sotme kishte paralajmëruar protestë popullore në rast se marrëveshja për demarkacionin do të parashtrohet në Kuvend.
Ndryshe, ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
Deputetët opozitarë kishin kundërshtuar dhunshëm, me gaz lotsjellës dhe me protesta këtë marrëveshje, sipas të cilëve me këtë Kosova do të humbasë mbi 8 mijë hektarë tokë.
Ndërsa kundër saj ishin edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës dhe deputetët e Listës Serbe dhe kjo ka rezultuar në mosarritjen e votave të nevojshme për miratimin e marrëveshjes, e cila kërkon 80 vota. Marrëveshja ishte parashtruar në Kuvend në datën 1 shtator të vitit 2016, por ishte tërhequr nga rendi i ditës nga Qeveria e Kosovës.