Admir Fazlagikj
28 Prill 2017•Përditësim: 29 Prill 2017
SHKUP (АА) - Lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev në konferencën e sotme për media deklaroi se dita e djeshme në Parlament ishte test për Maqedoninë dhe për qytetarët e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
"Duhet patjetër të dëshmojmë se sa jemi të pjekur si njerëz dhe sa jemi të pjekur si shtet. Nuk guxojmë të biem në provokimet të cilat kanë për qëllim ndarjen. Prandaj u bëj thirrje juve që të mbeteni të qetë dhe të kujdesshëm", tha Zaev.
Lideri i LSDM-së u bëri thirrje të gjithë të punësuarve në institucionet publike që ta kuptojnë përgjegjësinë e tyre. Ai tha se do ta udhëheqë Maqedoninë sepse beson se vlen e gjithë kjo për të cilën janë angazhuar.
Mes tjerash, Zaev theksoi se SHBA, BE dhe NATO, dhe siç tha, tërë bashkësia ndërkombëtare, tek shumica parlamentare e shohin motorin e paqes, stabilitetit, sigurisë dhe përparimit të paqes në rajon.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me incidentet e djeshme në Parlament, Zaev ngjarjet e dhunshme në Parlament i karakterizoi si tentim për vrasje me plan të paramenduar mirë.
"Nga hyrje e njerëzve në Parlament, koordinimi, ardhja e drejtpërdrejt deri atje ku janë individët të cilët janë të fokusuar, deputetët, për fat të keq shkelën edhe gazetarët dhe ata ishin nën dhunën direkte. Ajo ishte një tentim për vrasje me paramendim dhe plan", deklaroi Zaev.
Kujtojmë se dje me 62 vota "pro" në një atmosferë kaotike në shtëpinë ligjvënëse, shumica parlamentare zgjodhi deputetin e BDI-së Talat Xhaferin për kryetar të Parlamentit. Më pas pasuan incidentet para dhe brenda Parlamentit, kur protestuesit me forcë hynë në këtë institucion.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në incidentet e mbrëmshme para dhe në Parlament janë lënduar 70 qytetarë, 22 pjesëtarë të policisë dhe tre deputetë.