Admir Fazlagikj
02 Mars 2017•Përditësim: 03 Mars 2017
SHKUP (AA) – Me iniciativë të Shoqatës “Për Maqedoni të bashkuar”, mijëra qytetarë të Shkupit edhe sonte marshuan rrugëve të Shkupit për të shprehur revoltën e tyre kundër siç thonë ata, “pranimit të platformës shqiptare nga lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ashtu edhe si në mbrëmjet e kaluara, edhe sonte marshi protestues filloi nga godina e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për të vazhduar në drejtim të Kuvendit. Protestuesit kërkuan nga LSDM të mos e pranojë platformën shqiptare, e cila sipas tyre, dëmton sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit.
Organizatorët e protestës theksuan se kanë mirëpritur kërkesat e BE-së dhe NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar për sundimin e ligjit në Maqedoni pa vonesë të mëtejshme dhe për këtë arsye, siç thonë ata, kërkojnë sundimin e ligjit nga të gjithë dhe për të gjithë.
Ata thanë se kishin disa kërkesa. Kërkesa e parë e qytetarëve protestues ishte që BE-ja pa vonesë të pranojë vendimin e Komisionit të Badinterit të vitit 1992 i cili konfirmoi se njohja e shtetit me emrin e Republikës së Maqedonisë nuk paraqet ndonjë kërcënim territorial dhe është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat evropiane.
Kërkesa e dytë ishte që BE-ja pa vonesë të respektojë rekomandimin e Komisionit Evropian të vitit 2009 për të filluar negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.
Së treti, qytetarët kërkuan nga shtetet anëtare dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s që pa vonesa të mëtejshme të zbatojnë vendimin unanim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në përputhje me të të dërgojnë ftesë për anëtarësimin e vendit në NATO, me çka, siç thanë ata, do të japin kontribut për stabilitetin në rajon dhe shembull për sundimin e ligjit.
Gjithashtu, qytetarët që protestuan theksuan edhe kërkesën e tyre deri te shtetet anëtare të BE-së, që “ta dënojnë ndërhyrjen e një kryeministri fqinj në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë, e cila është në kundërshtim me normat politike evropiane dhe të drejtën e shteteve për sovranitet”.
Protesta përfundoi në mënyrë paqësore, ndërkohë që organizatorët kanë njoftuar se do të vazhdojnë të protestojnë në ditët në vijim, derisa kërkesat e tyre të përmbushen, duke përfshirë kërkesën për refuzimin e ligjit për dygjuhësinë në të gjithë territorin e Maqedonisë, i cili sipas tyre, do ta çojë Maqedoninë drejt ridefinimit të saj.