Admir Fazlagikj
02 Mars 2017•Përditësim: 03 Mars 2017
SHKUP (АА) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot ka pritur përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të Kabinetit të presidentit Iavnov, në takim u shkëmbyen mendime për ndodhitë në planin politik në Maqedoni, për perspektivat evropiane në vend, si dhe për krizën migratore dhe të refugjatëve.
Theksohet se presidenti i Maqedonisë vlerësoi se me gjendjen e “status quo”-s në integrimin evropian, Republikës së Maqedonisë i pengohet e drejta e perspektivës dhe mundësohet ndikim i zmadhuar i aktorëve tjerë ndërkombëtarë.
“BE-ja nuk guxon të lejojë që kjo të vazhdohet dhe duhet që përfundimisht ta identifikojë Ballkanin si një nga prioritetet e saj më të larta. BE-ja duhet të ndërmerr hapa urgjente dhe ta përforcojë procesin integrues të Maqedonisë, i cili është i pakthyeshëm”, tha presidenti Ivanov, njofton Kabineti i tij.
Në mënyrë shtesë, presidenti i Maqedonisë theksoi se hapja e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian do të jep nxitje të domosdoshme për intensifikimin e proceseve reformuese në këto sfera kyçe dhe do të rrumbullakojë përpjekjet e BE-së për tejkalimin e krizës politike në Republikën e Maqedonisë.
Lidhur me vendimin e tij të fundit, shkruan në njoftim, presidenti Ivanov tha se në pajtim me Kushtetutën, si mandatar për përbërjen e Qeverisë nuk nuk do ta caktojë atë që do të negociojë për plaftorma të shteteve tjera me të cilat kushtëzohet Maqedonia, rrezikohet sovraniteti, pavarësia dhe unitarizmi i shtetit.
“Me platformën paszgjedhore rrënohet Kushtetuta dhe Marrëveshja kornizë e Ohrit, ndërsa Maqedonia vendoset në pozitë të nënshtrimit dhe varësisë së një shteti tjetër. Qytetarët në zgjedhje votuan për reforma evropiane, e jo për platformë paszgjedhore të një shteti tjetër”, tha presidenti Ivanov.
"Ky është një rast që BE-ja publikisht dhe qartë duhet ta dënojë përzierjen në politikën e brendshme të Maqedonisë dhe ta përsërisë mbështetjen për moscenueshmërinë e kufijve të Ballkanit”, theksoi presidenti i Maqedonisë në takimin.
Ai theksoi se ky mund të jetë një precedent negativ që në të ardhmen mund të përdoret edhe në shtetet tjera.
Mogherini: Kriza politike të mos shndërrohet në krizë ndëretnike
Sipas njoftimit të Kabinetit të presidentit Ivanov, përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini theksoi se ka mirëkuptim të plotë për kompleksitetin e gjendjes dhe rolin e presidentit Ivanov në përballjen me sfidat politike.
Theksoi se e kupton aspektin juridik dhe politik, relevante për tejkalimin e gjendjes politike dhe theksoi se është e gatshme të ndihmojë krizën momentale politike që të mos shndërrohet në ndëretnike, madje edhe në krizë gjeopolitike. Mogherini shprehu besimin se faktorët politik në Republikën e Maqedonisë mund të gjejnë rrugëdalje nga gjendja.
Duke u përqendruar në deklaratat për respektimin e sundimit të së drejtës në Republikën e Maqedonisë, presidenti Ivanov theksoi se Maqedonia është e lodhur nga standardet e dyfishta, duke theksuar se aktvendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që askush nuk e respkton.
Po ashtu Ivanov theksoi edhe nevojën e organizimit të regjistrimit të popullatës në Maqedoni.
Në rasport me krizën migratore dhe të refugjatëve, Ivanov theksoi se është i domosdoshëm përfundimi sa më i shpejtë i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë që të mund, nëse nevojitet, të vazhdojë gjendjen e shpallur të krizës për shkak të migrimit ilegal, shkruan në njoftimin e Kabinetit Ivanov.
Paraprakisht, Mogherini u takua me përfaqësuesit e partive parlamentare politike në Maqedoni. Po ashtu, ajo u takua edhe me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në vend.
Ndryshe, Mogherini arriti në Maqedoni pas takimeve që pati në Mal të Zi në kuadër të turnesë në vendet e Ballkanit Perëndimor.