Admir Fazlagikj
22 Tetor 2017•Përditësim: 22 Tetor 2017
SHKUP (АА) – Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë bëri të ditur se mbrëmë në vendkalimin kufitar "Bogorodicë" në kufirin jugor të vendit, gjatë kontrollit të një automjeti transportues me targa të Bullgarisë zbuloi një grup prej 13 migrantësh nga Iraku, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç kumtoi MPB-ja, grupi i migrantëve është zbuluar rreth orës 20:45 minuta në vendkalimin kufitar “Bogorodicë” nga ana e nëpunësve policorë në bashkëveprim me nëpunësit doganorë, gjatë kontrollit të automjetit transportues “Reno” me targa bullgare, të drejtuar nga S.A. (45) nga Republika e Greqisë.
“Migrantët janë zbuluar në një bunker special të bërë në pjesën e përparme të rimorkios, menjëherë pas kabinës së automjetit. Qendra rajonale për punë kufitare 'Jug' pranë MPB-së deri te Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar Shkup parashtroi kallëzim penale kundër S.S. për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për vepër të kryer penale ‘fshehje të migrantëve'”, theksojnë nga MPB-ja.