Zülfiya Yakup
16 Janar 2019•Përditësim: 16 Janar 2019
PRISHTINË (AA) – Dhjetëra studentë përfaqësues të organizatave më të mëdha studentore nga universitetet publike të Kosovës, protestuan sot para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në Prishtinë për të kërkuar "depolitizimin e universitetit", raporton Anadolu Agency (AA).
Studentët fillimisht u tubuan para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nga ku marshuan drejt godinës së MASHT-it duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrimet "ministër reago", duam bursa", " duam dinjitet" dhe të ngjashme.
Njëri nga përfaqësuesit e studentëve të Universitetit të Prishtinës, Diar Statovci, tha se ky është një veprim simbolik i tyre i cili kërkon "depolitizimin e universiteteve" publike të Kosovës, të cilët pas luftës, sipas tij janë përdorur nga politikanët për të punësuar njerëzit e tyre.
Ai tha se kishin shpresuar kjo të ndodhë me ministrin aktual dhe theksoi se kanë fakte se "politizimi i universitetit" vazhdon.
Statovci tha se vazhdimisht është kërkuar nga ministri Bytyqi "depolitizimi i universiteteve" për t’i shndërruar ato në burime të dijes dhe shkencës nga të cilët studentët do të kontribuojnë për Kosovën, dhe të “mos i shohin si një mundësi për të braktisur vendin”.
Nëse deri në fillim të semestrit të dytë nuk do të ketë reagime, atëherë do të ketë protesta, tha ai.
Në protestën e sotme foli edhe Milot Krasniqi, kryetar i Parlamentit Universitar, nga Universiteti i Prizrenit, i cili lexoi disa nga kërkesat, përfshirë atë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit univerzitar të emëruar nga Qeveria e Kosovës, të cilët sipas tij nuk kanë përmbushur detyrimet dhe kanë abuzuar me postin.
Në fund të protestës, studentët në mënyrë simbolike i vendosën prangat derës së MASHT-it.