Zülfiya Yakup
04 Mars 2017•Përditësim: 04 Mars 2017
PRISHTINË (AA) – Pajtimi është fjala kyçe këtu në urë, tha Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë gjatë një vizite sot në Mitrovicë, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesja e Lartë Mogherini gjatë vizitës në Mitrovicë ka vizituar punimet në rivitalizimin e urës, e cila është financuar nga BE-ja, dhe është pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Mogherini në deklaratën e saj për mediat tha se është e gëzuar me hapjen e shpejtë të urës në Ibër, e cila ndan Mitrovicën në pjesën jugore shqiptare dhe pjesën veriore serbe.
Ajo tha se edhe pse shpesh dëgjon se dialogu është bisedë e zbrazët, ai sjell rezultate të cilat janë të dukshme për popullin e këtushëm dhe prandaj BE-ja është e përkushtuar në dialogun.
"Puna që bëjmë këtu në urë, të cilin e rivitalizojmë, shndërron urën nga simbol i ndarjes në simbol të dialogut. Pajtimi është fjala kyçe këtu, ajo është puna kyçe të cilën e bëjmë duke ndihmuar dhe mbështetur popullin në Mitrovicë. Pajtim mes komuniteteve ndërsa me paqen vjen edhe përparimi", tha Mogherini.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së falënderoi autoritetet komunale nga jugu dhe veriu i Mitrovicës për të gjitha punimet dhe ka theksuar se është e vetëdijshme se ky dialog nuk ka qenë i lehtë, se ka patur mjaft ndërprerje dhe pengesa, por se është e kënaqur që përfundimi i këtij projekti është kah fundi.
"Sot, këtu jo vetëm rajonit por tërë botës i tregojmë se dialogu, bashkëpunimi dhe paqja janë të mundshme. BE mbetet e angazhuar në zhvillimin e Kosovës", potencoi Mogherini.
Ajo shtoi se ka biseduar edhe me përfaqësuesit e sektorit civil nga veriu dhe jugu i Mitrovicës dhe u ka thënë se dialogu të cilin ata e zhvillojnë është më i rëndësishëm se dialogu që ajo u ndihmon.
Mogherini tha se dialogu është në krye të një çështjeje fundamentale sepse sjell deri tek vendimet e rëndësishme, por se edhe shoqëria civile është po aq e rëndësishme në zhvillimin e tërë shoqërisë. Para vizitës në Mitrovicë, Mogherini në Prishtinë u takua me krerët më të lartë të Kosovës dhe liderët e partive parlamentare.