Sibel Vezaj
04 Mars 2017•Përditësim: 05 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Mijëra qytetarë të Kosovës sot u mblodhën në Sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë për të protestuar kundër vazhdimit të mbajtjes së ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në Francë. Kjo protestë e organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mori mbështetje edhe nga partitë tjera opozitare dhe nga disa deputetë të pozitës, si dhe nga shoqëritë civile, organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe minatorët e Trepçës, raporton Anadolu Agency (AA).
Qytetarë të shumtë të cilët morën pjesë në këtë protestë mbanin flamuj kombëtar si dhe flamurin e SHBA-ve dhe brohorisnin: "Ramush Haradinaj është Kosova" dhe "UÇK".
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, iu drejtua protestuesve me një video-mesazh, ku shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe qëndrueshmërinë e treguar nga të gjithë qytetarët. “Nëse qëndrojmë në rrugën tonë dhe të drejtën tonë, do ta fitojmë të drejtën të jetojmë të lirë në tokat tona dhe në vendin tonë”, tha Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili iu drejtua protestuesve me një fjalë rasti tha se mbajtja e Ramush Haradinajt nuk është e rastësishme dhe sipas tij kjo me sjelljen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi në Kuvend.
Duke theksuar se në Francë nuk po mbahet peng vetëm Ramushi por i gjithë populli shqiptar, Ahmeti tha se “Në qoftë se mendojnë se po akuzojnë vetëm Ramushin me këto aktakuza, ata gabojnë. Ata janë duke e akuzuar gjithë popullin e Kosovës. Ata po mundohen të mbajn peng gjithë popullin e Kosovës dhe të na kërcënojnë të gjithë neve me aktakuza të rrejshme të cilat nuk i kemi pranuar as atëherë e nuk do t’i pranojmë as sot”.
Kurse Daut Haradinaj, deputeti nga radhët e AAK-së dhe vëllai i Ramush Haradinajt, tha se kjo pjesëmarrje e madhe tregon që “Ramush Haradinaj nuk është i vetëm”. Ai përqoi disa mesazhe tek Qeveria e Kosovës, ku theksoi se marrëveshja e Demarkacionit nuk do të kalojë.
“E kanë rastin për t’i thënë jo dialogut me Serbinë, përderisa Serbia nuk kërkon falje nga populli shqiptar dhe për krimet e saj. E kanë rastin t’i tonë jo demarkacionit që e dëmton Kosovën mbi 8 mijë e 800 hektarë. Ne nuk jemi kundër demarkimit me Malin e Zi por nuk jemi të gatshëm të japim asnjë metër”, tha Haradinaj.
Në protestë mori pjesë edhe ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker. Ai tha se ndodhet këtu për t’u solidarizuar me Haradinajn dhe me të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Unë kam menduar gjithmonë se sistemi i drejtësisë në Francë është më i miri në botë. Por kjo cfarë i ka ndodhur heroit të Kosovës për mendimin tim është turp. Jam këtu për t’u solidarizuar me të gjithë ju dhe të gjithë në botë të cilët besojnë në drejtësinë e vërtetë, duke mos e përdorur sistemin e drejtësisë për çështje politike”, tha Walker.
Protesta gjithëpopullore përfundoi e qetë dhe pa incidente.
Ndryshe, në seancën e fundit gjyqësore në Colmar të Francës, më 2 mars, për herë të dytë u shty vendimi lidhur me lirimin ose ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe ish-udhëheqësit UÇK së, Ramush Haradinaj.
Ai më 4 janar ishte ndaluar nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Më 12 janar u lirua me kusht nga autoritetet franceze, kurse vendimi për të ishte shtyrë edhe në seancën e 9 shkurtit. Paraprakisht, ai ishte arrestuar edhe në Slloveni në vitin 2015 sipas urdhërarrestit të njëjtë, ndërkohë që më pas ishte liruar.