Nazmi Abduramani
30 Maj 2017•Përditësim: 30 Maj 2017
SHKUP (AA) – Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot filloi senaca e dytë në të cilën pika e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e Qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mandatari për formimin e Qeverisë Zoran Zaev të dielën mbrëma dorëzoi propozim-programin dhe propozim-përbërjen e Qeverisë së re.
Sipas Rregullores për punë në Kuvend, Zaev do të mbajë fjalim para deputetëve pas çka do të vijojë debati.
Qeveria duhet të zgjidhet dy ditë pas fillimit të seancës gjegjësisht më së voni deri të mërkurën në mesnatë. Që ajo të zgjidhet nevojitet të votohet së paku nga 61 deputetë.
Qeveria e re do të përfaqësohet nga ministra të LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët, të cilët kanë shumicë prej 62 deputetëve në Kuvendin 120 anëtarësh.
Radmilla Shekerinska është propozuar për ministre të Mbrojtjes, Oliver Spasovski i Punëve të Brendshme, Dragan Tevdovski i Financave, Nikolla Dimitrov i Punëve të Jashtme, Renata Treneska Deskovska e Arsimit dhe Shkencës. Goran Sugarevski i Transportit dhe Lidhjeve, Lupço Nikollovski i Bujqësisë, Milla Carovska e Punës dhe Politikës Sociale, Damjan Mançevski i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Robert Allagjozovski i Kulturës, Koço Angjushev është propozuar për ministër pa resor dhe do të jetë zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.
Për ministra pa resor janë propozuar edhe Edmond Ademi, Robert Popovski, Adnan Qahil, Samka Ibraimovski, Zoran Shapuriq dhe Zorica Apostollovska.
Hazbi Lika do të jetë zëvendëskryeministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani do të jetë zëvendëskryeministër për Eurointegrime, Sadulla Duraku është propozuar për ministër të Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë dhe Bylent Salihu ministër i Drejtësisë si dhe Ramiz Merko ministër pa resor.
Ministër i Vetëqeverisjes Lokale është propozuar Suhejl Fazliu, ndërsa ministër i Shëndetësisë Arben Taravari që të dy të propozuar nga Aleanca për Shqiptarët.
Pasi kryetari i LSDM-së Zoran Zaev mori mandatin për formimin e Qeverisë, ai filloi takimet me partitë politike që përbënin shumicën parlamentare (BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA).
Pas takimeve të mbajtura mes LSDM-së dhe lëvizjes BESA u njoftua se nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje. Lideri i Lëvizjes BESA, Billall Kasami tha se mandatari Zaev nuk ishte i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen, për siç tha, bashkëqeverisjen e përbashkët dhe t’i pranojë parimet e tyre.