Fatjon Cuka
16 Maj 2018•Përditësim: 17 Maj 2018
TIRANË (AA) - Në protestën e organizuar para selisë së Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë është kërkuar dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pas pretendimeve të opozitës për vëllain e tij se "është i përfshirë në trafikun e drogës", raporton Anadolu Agency (AA).
Në protestën e qytetarëve organizuar me mbështetjen e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) në zonën e "Pedonales" në Tiranë, merrnin pjesë edhe deputetë të PD-së, si dhe anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë (FRPD), të cilët kanë bërë thirrje për dorëheqjen e ministrit Xhafaj.
Në protestë nuk ka patur fjalime, ndërsa gjatë saj ka patur edhe tensione mes forcave të policisë dhe protestuesve.
Në lidhje me pretendimet e opozitës, sot ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste tha: "Akuzat sot ndaj ministrit të Brendshëm nuk vijnë nga organet e drejtësisë, nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën si vlerë, por nuk mund të neglizhohen dhe as nuk mund të lihen me sqarimet e radhës. Sot që flasim ministri i Brendshëm nuk duhet të përgjigjet ligjërisht jo e jo, por as moralisht".
Disa ditë më parë Partia Demokratike e Shqipërisë publikoi një audio përgjim ku pretendon se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, "organizon trafikun e drogës në qytetin e Vlorës."
Kujtojmë se që prej 13 shtatorit 2017, Fatmir Xhafaj është emëruar në detyrën e ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.