Sibel Vezaj
15 Shkurt 2017•Përditësim: 16 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA)- Policia e Kosovës sot mbajti një konferencë për media, ku informoi lidhur me incidentet e përjetuara sot me rastin e shënimit të 47-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci dha informacione rreth letrës së gjetur në Fakultetin Filologjik të këtij universiteti, duke bërë të ditur se kjo letër është gjetur në një nga tavolinat e këtij objekti dhe se ajo ka pasur një përmbajtje kërcënuese që i është drejtuar UP-së.
Borovci bëri të ditur se policia me të informuar rreth kësaj letre ka dalë me të gjitha njësitë e saj të nevojshme në vendin e ngjarjes, duke e marrë këtë letër. Sipas tij aktualisht Policia e Kosovës me të gjithë mekanizmat e tjerë për zbatimin e ligjit dhe agjencitë për zbulim është duke punuar që në hollësi dhe detaje të analizojë përmbajtjen e kësaj letre dhe të identifikojë personat të cilët mund të fshihen prapa saj.
“Letra është e shkruar me dorë dhe nuk ka ndonjë logo, vetëm si titullar ka vënë organizatën terroriste ISIS (DEASH). Sa i përket seriozitetit të letrës, në fakt policia është ajo organizata serioze që është në funksion të garantimit të rendit dhe të qetësisë publike, natyrisht edhe të sigurisë së përgjithshme dhe nacionale. Pavarësisht se sa mund të jetë serioze një gjë e tillë, duke pasur parasysh rrethanat që po kalon gjithë bota ne e kemi marrë këtë letër me seriozitet dhe po trajtojmë përmbajtjen e saj. Gjithsesi po punojmë për identifikimin e personave që mund të jenë prapa kësaj letre, pastaj natyrisht edhe për motivet e saj”, tha Borovci.
Ai po ashtu njoftoi se përmbajtja e saj nuk është kanosje në sigurinë e përgjithshme, por që i është drejtuar vetëm një institucioni, mirëpo sipas tij është e rëndësishme që policia ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme.
Ndërkaq, lidhur me protestën e organizuar, zëdhënësi Borovci u shpreh se Policia e Kosovës, me kërkesë të rektoratit të UP-së sot ka bërë sigurimin e perimetrit të jashtëm të kësaj ndërtese. Sipas tij, përkundër thirrjes së policisë për t’i ndaluar veprimet e dhunshme dhe shprehjet e agresivitetit, protestuesit nuk kanë përfillur policinë. Kur agresiviteti ka qenë mjaft i shprehur, Borovci tha se policia është detyruar që të përdorë mjetet ndërmjetëse me qëllim të neutralizimit të situatës.
“Për rrjedhojë kemi pasur 5 policë të cilët janë lënduar dhe kanë kërkuar trajtimin mjekësor. Në ndërkohë kemi kuptuar edhe për 3 persona që kanë qenë pjesëmarrës në këtë aktivitet protestues dhe kanë kërkuar ndihmën mjekësore. Përderisa 13 persona përfundimisht janë sjellur në stacionin policor. Policia bashkërisht me prokurorin po ndërmerr të gjitha edhe veprimet e nevojshme edhe hetimore dhe procedurale para se rasti të kompletohet”, tha ai.
Ndryshe, sot me rastin e shënimit të 47-vjetorit të themelimit të Universitetit Publik të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, në rektoratin e këtij universiteti u organizua një ceremoni, ku u shënuan incidente. Para kësaj ceremonie u ndryshua vendi ku ngjarja pritej të realizohej, për shkak të gjetjes së letrës kërcënuese, kurse gjatë saj disa studentë të këtij universiteti protestuan duke ndërprerë fjalën e rektorit Marjan Dema. Më pas jashtë rektoratit disa prej studentëve protestues patën edhe një përleshje me forcat e policisë.