Figen Shaban
24 nëntor 2017•Përditësim: 25 nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Policia e Kosovës (PK), me anë të një komunikate informon se “sot në orët e paradites ka realizuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për ndalim, arrestim dhe dërgim në Qendrën e Paraburgimit për shtetasit: Donika Kadaj Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Albin Kurti, që të tre deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga PK thuhet se personat e lartpërmendur janë takuar dhe ndaluar në rrugën e “UÇK-së” në Prishtinë. Policia me këtë rast është prezantuar dhe i ka njoftuar ata se janë në zbatim të një urdhër-arresti dhe se do të shoqërohen për në organet e drejtësisë.
Sipas komunikatës thuhet se tre deputetët që kishin urdhër-arrest, por edhe deputetët tjerë, përfshirë edhe disa aktivistë, kanë kundërshtuar realizimin e urdhëresë së gjykatës, duke bërë rezistencë për të mos lejuar arrestimin e të njëjtëve.
“Gjatë ballafaqimit me turmën, prej disa dhjetëra personave, pesë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime. Njëri nga zyrtaret policor është sulmuar me grusht nga i dyshuari D. Ç. Për këtë është iniciuar rasti 'Sulm ndaj personit zyrtar dhe pengim në kryerje të detyrës zyrtare', ku për rastin është njoftuar prokurori kujdestar. Policët e lënduar, kanë kërkuar dhe janë dërguar për trajtim në QKUK", thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se "Policia, gjatë realizimit të detyrave të saj, për shkak të rezistencës nga turma është detyruar të përdorë forcën proporcionale, të përshtatshme dhe të arsyeshme për realizimin e veprimeve të saj ligjore. PK mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të ofrimit të sigurisë së përgjithshme”, thuhet në këtë komunikatë.