Fatjon Cuka
19 Janar 2017•Përditësim: 20 Janar 2017
TIRANË (AA) - Sot në Tiranë është mbajtur mbledhja konstituive e Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore, ku ishin të pranishëm ministrave të kabinetit qeveritar, drejtues t pushtetit vendor, etj, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, gjatë fjalës së tij në tryezën e prezantimit të këtij këshilli u shpreh se ky institucion është një element kyç për reformimin e qeverisjes vendore dhe vendosjes së një klime bashkëpunimi real midis dy pushteteve në Shqipëri, atij qendror dhe lokal.
"Sot fillojmë një bashkëpunim të institucionalizuar midis qeverisjes vendore dhe qeverisjes qendrore. Mendoj që jemi në një fazë shumë interesante sa i përket zhvillimeve në qeverisjen vendore. Kemi një strukturë të re territoriale dhe kemi një ligj të ri për qeverisjen vendore, me fokus drejt decentralizimit të qeverisjes, delegimit të kompetencave drejt bashkive. Tashmë po bëjmë institucionale një platformë dialogu, një platformë bashkëpunimi në mënyrë që të gjithë këtë fazë të jetësimit të këtyre reformave transformuese ta kalojmë së bashku në tryeze duke dialoguar dhe duke gjetur zgjidhjet më të mira që do të vijnë jo për interesa të qeverisë apo bashkive, për për interesa të komunitetit", u shpreh Çuçi.
Për herë të parë në Shqipëri qeverisja qendrore do të realizojë konsultime me përfaqësues të qeverisjes vendore në lidhje me decentralizimin, financat vendore dhe funksionet e bashkive.
Përmes këtij këshilli të dy nivelet e qeverisjes do të shkëmbejnë dhe diskutojnë politikat, ligjet apo nismat që ndikojnë tek qeverisja dhe komunitetet vendore.