Sibel Vezaj
19 Janar 2017•Përditësim: 19 Janar 2017
PRISHTINË (AA) - Në seancën e parë të sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, sot në rend dite ishte interpelanca e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami, sipas kërkesës të deputetit të partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, në lidhje me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kërkesa për interpelancë erdhi pas rezultatit të testit të Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA), ku nga 72 vendet pjesëmarrëse Kosova u radhit ndër tre vendet më të dobëta.
Në përfundim të diskutimeve, iniciuesi i interpelancës, Kurteshi paraqiti rezolutën e koordinuar nga të gjitha partitë politike, ku kërkohet që arsimi të shpallet interes nacional, të rritet buxheti dhe llogaridhënia për këtë sektor.
Gjithashtu kërkohej që Qeveria e Kosovës të krijojë fond të veçantë për sigurimin e burimeve njerëzore dhe të infrastrukturës së nevojshme, që Ministria e Arsimit të krijojë kushte për organizmin e studimeve dhe që të rishikohet legjislacioni në fushën e arsimit. Po ashtu në rezolutë kërkohet që ministri i Arsimit të raportojë çdo tre muaj për gjendjen e arsimit në Kuvend.
Mirëpo, Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta miratojë rezolutën e propozuar nga partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe të harmonizuar nga të gjitha partitë parlamentare, për shkak të mungesës së kuorumit.
Deputetët opozitarë mendojnë se në arsimin e Kosovës ka ndërhyrje të politikës. Përkundër asaj që Ministria e Arsimit ka shpallur që viti 2016 ishte viti i cilësisë, përfaqësuesit opozitarë thanë se rezultatet tregojnë të kundërtën.
Në ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Müferra Şinik, foli për problemet e arsimit në gjuhën turke në Kosovë. Ajo mes tjerash, theksoi edhe mungesën e librave mësimore në gjuhën turke në arsimin e mesëm, duke vënë në dukje se kjo është në kundërshtim me të drejtat e fëmijëve, të njerëzve dhe të komuniteteve.
Şinik theksoi edhe nevojën e trajnimeve për mësimdhënësit në gjuhën turke, krijimin e inspektoriatit për arsimin në këtë gjuhë dhe inspektimin e shkollave private dhe kolegjeve në Kosovë.
Seanca është duke vazhduar me debatin për arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.