Andjelija Stojkovic
22 Janar 2017•Përditësim: 22 Janar 2017
BEOGRAD (AA) – Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka biseduar sot në Beograd me komisionerin evropian për Ndihmë Humanitare dhe Menaxhim me Situata të Jashtëzakonshme, Hristos Stilianidis, i cili është shprehur se Serbia që nga fillimi i krizës migratore ka qenë partner kyç dhe i përgjegjshëm i Bashkimit Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, Vuçiç falënderoi Stilianidis për ndihmën në vlerë prej mbi 20 milionë euro, të cilën BE-ja deri tani ia ka dhënë Serbisë për zgjidhjen e krizës së migrantëve.
Ai thekson se Serbia që nga fillimi i krizës angazhohet për zgjidhje unike dhe solidare dhe se ka treguar gatishmëri që të jetë pjesë e zgjidhjes në pajtim me mundësitë e saj.
Stilianidis është shprehur se Serbia është “shembull se si në mënyrë humane dhe efikase mund të përgjigjet sfidave që kjo krizë sjell”.
Ata biseduan edhe për gjendjen në rajon. Vuçiç ka thënë se Serbia do të mbetet besnike ndaj politikave të stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon, ndërsa Stilianidis ka theksuar se BE-ja këtë e vlerëson dhe se Serbia konfirmon mbështetjen për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.