Senada Ibraimova
14 Dhjetor 2016•Përditësim: 15 Dhjetor 2016
SHKUP (АА) – Ka filluar në Shkup një takim dyditor për rolin e Ombudsmanit në mbrojtjen e fëmijëve refugjatë, një organizim i Avokatit të Popullit të Maqedonisë dhe me mbështetjen e rrjetit të ombudsmanëve për fëmijë CRONSEE si dhe të organizatës "Save the Children", raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin tematik i cili do të zgjasë deri të enjten, ombudsmanët dhe përfaqësuesit e organizatave për mbrojtjen e fëmijëve refugjatë do të shkëmbejnë përvojat dhe do të debatojnë për rolin e Ombudsmanit për mbrojtjen e kësaj kategorie të fëmijëve.
Takimin e hapi Avokati i Popullit, Ixhet Memeti i cili tha mes tjerash se roli i tyre duhet të jetë që të flasin për problemet me të cilat përballen refugjatët, në veçanti gratë dhe fëmijët.
“Politikat dhe aktivitetet të cilat i ka ndërmarrë shteti si kundërpërgjigje të kësaj krize qartë pasqyron pamundësinë për të menaxhuar dhe koordinuar fluksin e refugjatëve përmes respektimit të detyrimeve ndërkombëtare duke siguruar trajtim njerëzor të kësaj kategorie përfshirë fëmijët”, tha Mehmeti për të shtuar se pret rekomandime të mira nga ky debat.
Zëvendësavokatja e popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa, nga ana e saj tha se theksi i këtij debati do të vihet te fëmijët refugjatë të cilët lëvizin pa shoqërimin e prindërve dhe si të tillë janë pre e manipulimeve.
“Ajo për të cilën ne si institucion angazhohemi është që për këta fëmijë të veprojmë në përputhje me procedurat standarde të veprimit që janë miratuar në nëntor të vitit 2015 për të krijuar kushte në mënyrë që ata të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre në një gjuhë që e kuptojnë mirë në mënyrë që të kalojë gjithë trauma të cilat janë të ekspozuar”, tha Mustafa.
Deri më tani në Maqedoni kanë kaluar 8-10 mijë fëmijë refugjatë të pashoqëruar nga prindi dhe sipas të dhënave nga inspektimi i bërë nga institucioni i Ombudsmanit, në shtëpitë akomoduese për refugjatë dhe grupet tjera të rrezikuara, aktualisht ka vetëm 5 fëmijë të pashoqëruar refugjatë.